U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mbajti një konferencë për media

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mbajti sot një konferencë për media, në të cilën foli për rrjedhën e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, të mbajtura më 12 dhjetor.

Karakteristikat themelore të këtyre zgjedhjeve ishin organizimi i mirë dhe i shpejtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fushata parazgjedhore e pjekur dhe niveli i lartë demokratik që u detyrohet subjekteve politike, elektoratit, gjithë qytetarëve pjesëmarrës, theksoi në fillim z.Krasniqi.
 
Votimi ishte mjaft masiv, në një ambient të qetë, të kulturuar, që dëshmon për nivelin e konsolidimit të demokracisë sonë dhe përçuan mesazh të mirë për Kosovën e re, të lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike, tha ai, duke shtuar se edhe pjesëmarrja e qytetarëve serbë të Kosovës i ka dhënë një kuptim demokracisë së Kosovës.
 
“Me këtë rast dëshiroj të përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, partitë politike dhe qytetarët për rezultatin madhor që i siguruan demokracisë së Kosovës. Falënderoj gjithashtu punën e mirë të të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve të pavarur vendorë, duke përfshirë edhe ata ndërkombëtarë që morën pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Gjithashtu, falënderoj edhe angazhimin e të gjitha medieve për mirëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm demokratik për Kosovën”, tha z.Krasniqi.
 
“Procesi zgjedhor është në vazhdim, duke u ndodhur në procesin e numërimit të votave, andaj duhet të presim përfundimin e tij dhe rezultatin definitiv të zgjedhjeve. Ftoj partitë politike dhe qytetarët që të kenë besim të plotë në organet e pavarura zgjedhore, duke siguruar kushte veprimi të lirë e të pandikuar në përmbushjen e obligimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore. Duke vepruar brenda sistemit tonë zgjedhor, çdo pakënaqësi a kërkesë duhet drejtuar organeve përkatëse të këtij sistemi”, shtoi ai.
 
Në vijim, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi tha se “nga KQZ kërkoj profesionalizëm, transparencë të plotë dhe paanshmëri, duke e kryer punën sipas ligjit, duke evidentuar çdo parregullsi eventuale dhe duke trajtuar secilin dyshim të bazuar sipas procedurave të organeve përkatëse”.
 
Gjithë procesi zgjedhor në Kosovë, ashtu si ka filluar mirë, duhet edhe të përmbyllet mirë, sepse ky është interesi i përgjithshëm i shtetit të Kosovës, theksoi z.Krasniqi.
 
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e shumta të gazetarëve, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi theksoi se “ne i inkurajojmë të gjitha partitë politike, subjektet që ishin të regjistruara në KQZ, që të gjitha vërejtjet e tyre t’i argumentojnë dhe t’ua dërgojnë organeve përkatëse, të cilat do të përgjigjen sipas ligjeve në fuqi”.
 
Ndërsa, sa i përket kohës së konstituimit të institucioneve të reja, ai u shpreh: “Ne duhet ta presim rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, për ta paraparë konstituimin e institucioneve”.
 
I pyetur lidhur me ankesat e ndryshme rreth procesit zgjedhor, z.Krasniqi u shpreh: “KQZ dhe PZAP-i kanë përgjegjësinë ta verifikojnë se si ka rrjedhë votimi, jo vetëm në Skenderaj apo në ndonjë komunë tjetër, por në të gjitha komunat dhe në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës”.
 
“Unë nuk dua ta paragjykoj procesin zgjedhor. Nuk është detyrë e imja. Detyrë e imja është t’i mbështes të gjitha institucionet e pavarura që kanë përgjegjësi për të verifikuar rregullsinë apo parregullsinë e zgjedhjeve, t’i kryejnë detyrat e tyre konform ligjit. Kjo është kërkesa ime. Këtë kërkesë e bëra sot dhe këtë kërkesë do të bëj edhe në vazhdim”, tha z.Krasniqi.
 
“Çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor është cenim i lirisë së individit dhe kam qenë dhe do të jem kundër cenimit të të drejtës së njeriut për të hedhur votën lirshëm pa ndikime anësore”, tha në fund të konferencës së tij për media Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.