U.D i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi vazhdoi konsultimet me subjektet politike

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti sot kryetarët - përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

“Vetëm sa patëm një takim pune me gati të gjithë përfaqësuesit e partive politike, përveç atyre më të rejave. Biseduam për mundësinë se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Kemi arritur, mendoj të rrumbullakojmë shumëçka. Të gjitha subjektet politike, ose partitë politike që ishin në takimin e sotëm janë dakord që të mos ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, por zgjedhje të parakohshme na imponon situata. Të gjithë në një formë ose tjetër, janë në pajtueshmëri që të respektohet ligji dhe Kushtetuta, por ka kërkesa të ndryshme që të mbahen në fillim të shkurtit, mes shkurtit, apo fillim të marsit”, theksoi pas takimit ushtruesi i detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi.

“Megjithatë ne do të kemi konsulta edhe me Komisionin Qendror Zgjedhor  (KQZ) që ta dije saktësisht se cili do të jetë afati optimal për të konstituuar institucionet që dalin nga zgjedhjet e lira. Ne e dimë që njëzet e tetë marsi, Kosovën duhet ta gjejë me parlament të konstituuar me kryetar të Parlamentit edhe me President të Kosovës. Kjo është e domosdoshme që 28 marsi ta gjej Kosovën me këto institucione të reja të dala nga zgjedhjet. Ndoshta nëse miratohet ligji i ri dhe shkurtohen disa afate të ankimeve dhe nëse subjektet politike arrijnë t’i reduktojnë afatet e ankimimeve ndoshta edhe ne do ta marrim vendimin përfundimtar për të shpallur zgjedhjet. Do të thotë kemi mbet që edhe javën e ardhshme të konsultohem edhe me ekspertë vendorë, prapë me KQZ, ndoshta edhe me ndonjë ekspert ndërkombëtar që ta caktojmë ditën e zgjedhjeve”, vijoi më tej ushtruesi i detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi.

Në vazhdim, ushtruesi i detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi u përgjigj edhe në pyetjet e gazetarëve

Pyetje: Z. U.D i  Presidentit,  cili është disponimi i partive të mëdha, meqenëse pak minuta më parë kryetari i LDK-së z. Fatmir Sejdiu e dha datën 6 mars si propozim i LDK-së. Cili ishte i PDK-së, kryesisht i partive më të mëdha.

U.D i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi:
Po, i PDK-së nuk ka dalë me afat. Por ka kërkuar që të jetë koha e mjaftueshme për konstituimin e Parlamentit dhe institucioneve që pastaj dalin nga zgjedhjet. Natyrisht, unë e di që ajo është diku fundi i janarit ose fillimi i marsit. Kjo është tani për tani me procedura që janë në komisionin zgjedhor, janë pjesa e parë, e domosdoshme është pjesa e parë e shkurtit.

Pyetje: A ka mundësi, cili ishte disponimi i shumicës së partive politike, dhe a mund të rrëshqas Kosova në një krizë institucionale nëse nuk ka konsensus për mbajtjen e zgjedhjeve.

U.D i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi: Shikoni, konsensusi në fakt është arritur. Jemi të pajtueshëm të gjithë që të ketë zgjedhje të parakohshme, duhet ekspertët ta dhënë mendimin e tyre dhe ta caktojnë datën. Vullneti edhe i imi është ndoshta të mbahet edhe në maj, kur koha është edhe më e mire. Për mu mandati përfundon me 28 mars dhe unë jam i interesuar  që me 28 mars, më së fundi Kosova ti ketë institucionet që dalin nga zgjedhjet e lira.

Pyetje: Z. U.D i  Presidentit, Ju folët për zgjedhje të parakohshme, të jashtëzakonshme. Ju lutem a mund të na bëni sqarime të mjaftueshme se cilat janë zgjedhje të jashtëzakonshme meqenëse as në Kushtetutë, e as në ligjin për zgjedhje të përgjithshme nuk përdoret ky term?

U.D i Presidentit, dr.Jakup Krasniqi: Jo, me u  përdor përdoret, sidomos në ligj dhe kur shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme ato duhet të mbahen brenda 45 ditësh dhe kjo është ajo që i dallon zgjedhjet e jashtëzakonshme me ato të parakohshme. Edhe pse pak a shumë këtu ligji e ngatërron, po mendoj që ekspertët e sqarojnë këtë. Ju e dini që edhe ligji po edhe Kushtetuta kanë lënë zbrazëti dhe  mundësi të interpretimeve të ndryshme. Por ne do të konsultohem edhe me ekspertët, jo vetëm me të tanët, por edhe me të tjerët.

Pyetje: Nëse nuk ka disponim të partive, a do jeni ju qe do ta vendosni përfundimisht datën?

U.D i Presidentit, dr.Jakup Krasniqi:  Kushtetuta e jep atë nuk e them unë.

Pyetje: A ka afat kohor kur  duhet të shpallet data?

U.D i Presidentit, dr.Jakup Krasniqi:  Ka afat kohor. Ne do të kemi edhe pak konsultime dhe besoj që ne do ta respektojmë Kushtetutën që është dokument për neve Bibël edhe Kuran, qofshin edhe njëra edhe tjetra.