U.D. i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi uroi Presidentin e Austrisë, z. Heinz Fischer

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqin uroi sot Presidentin e Austrisë, Shkëlqesinë e tij, z. Heinz Fischer, dhe popullin e këtij vendit, me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë.

Duke e uruar Presidentin Fischer, në emër të tij dhe të popullit të Kosovës, z.Krasniqi thekson se Kosova dhe Republika e Austrisë, për një kohë të gjatë, kanë pasur një partneritet të përbashkët aktiv, të rrënjosur në vlerat, interesat dhe historinë tonë të përbashkët.

Më tej, U.D i Presidentit të Republikës së Kosovës shton se Austria është një nga vendet e para që ka pranuar ta njohë Kosovën si shtet dhe që i ka ndihmuar asaj që të formësohet dhe të njihet si shtet i pavarur në mbarë botën dhe se, sot, kombet tona po përpiqen të jenë urë lidhëse midis shteteve të BE-së, si partnerë dhe aleatë.

“Kosova çmon mbështetjen që austriakët e kanë ofruar në procesin e njohjes dhe ndihmën që ata e kanë ofruar në ndërtimin e institucioneve dhe në KFOR, që nga fillimi, që përbën vetëm një nga sferat e shumta në të cilat ata e kanë ofruar kontributin e tyre”, thekson në urimin e tij z.Krasniqi.

“Në Ditën Kombëtare të Austrisë i dëshiroj popullit Tuaj të gjitha të mirat dhe pres me padurim bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe sigurinë e prosperitetin e përbashkët në shekullin 21. Shkëlqesia e Juaj, shfrytëzoj këtë rast që t’jua ofroj sërish, Juve dhe popullit mik të Austrisë, garancitë e konsideratës sime më të lartë”, shkruan në urimin e tij Ushtrues i Detyrës së Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.