U.D. i Presidentit të Kosovës, dr Jakup Krasniqi u takua me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama

Tiranë, 14 janar 2011- Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Shqipërisë, u prit sot nga kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi Rama.

Me këtë rast, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi theksoi se është e interesit të përbashkët të Kosovës dhe të Shqipërisë që të thellohet  bashkëpunimi në të gjitha fushat e jetës.
 
“Është interesi i përbashkët edhe i Kosovës, edhe i Shqipërisë që të thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat e jetës edhe në fushën e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesit kombëtar edhe jashtë Shqipërisë dhe jashtë Kosovës, dhe në këtë rrafsh gjetëm një përkrahje të fuqishme”, theksoi z. Krasniqi.
 
Gjithashtu në këtë takim, sipas U.D të Presidentit Krasniqi, u bisedua për delegacionin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që do të jenë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, një pjesë e të cilëve nga Partia Socialiste, nga të cilët u morë mbështetje e përgjithshme.
 
Ndërkaq, z. Rama duke shprehur kënaqësinë e tij që takoi U.D të Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëronte, theksoi të ketë ndarë me të absolutisht të gjitha pikëpamjet e njohura.
 
“Ndamë absolutisht  të gjitha pikëpamjet e njohura dhe mbi të gjitha nënvizuam nga ana jonë se zëri ynë është zëri i Kosovës në Asamblenë e Këshillit të Evropës”, theksoi ndër të tjera kryetari i PS-së Edi Rama.