UD i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti Sekretaren Amerikane të Shtetit Hillary Clinton

UD i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, së bashku me Kryeministrin Thaçi, pritën sot Sekretaren Amerikane të Shtetit Hillary Clinton.

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi,  pasi që i shprehu sekretares Clinton mirëseardhje, e vlerësoi rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të saj personalisht për Kosovën.

“Shpreh respektin dhe mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për ShBA-të dhe për Ju personalisht. Vizita juaj është konfirmim i politikës konsekuente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar Kosovën dhe për thellimin e marrëdhënieve tona”, theksoi z. Krasniqi.

Ai e informoi Sekretaren Clinton për situatën e përgjithshme në vend, për konsolidimin e stabilitetit politik dhe të sigurisë, për thellimin e reformave, si dhe për procesin e pajtimit dhe mirëkuptimit ndëretnik.

Gjatë takimit, U.D i Presidentit Krasniqi, tha se pavarësia e Kosovës ka kontribuar në forcimin e stabilitetit politik dhe e të sigurisë jo vetën në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin, duke përmendur këtu edhe legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kosovën.

Gjithashtu, U.D i Presidentit të vendit, dr. Krasniqi shprehu gatishmërinë e institucioneve të vendit për dialog me Republikën e Serbisë për çështje të interesit të përbashkët, që do të përmirësonin jetën praktike të qytetarëve.

Sipas tij, koordinimi me SHBA-të në të gjitha proceset do të vazhdojë duke e thelluar miqësinë e sinqertë.

Ndërkaq, Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton, konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.