U.D. i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti ministrin e Mbrojtjes së Zvicrës

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti në takim ministrin e Mbrojtjes së Zvicrës z.Ueli Maurer, të cilin e falënderoi për mbështetjen e përgjithshme që Zvicra i ka dhënë dhe është duke i dhënë Kosovës për një kohë të gjatë.

Gjatë takimit, z. Krasniqi e informoi ministrin Maurer për situatën e përgjithshme në vendin tonë, me theks të veçantë për zhvillimet e fundit politike si dhe përgatitjet që janë duke bërë institucionet e vendit për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
 
Me këtë rast, z. Krasniqi kërkoi nga ministri Maurer që  Zvicra, si një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe një nga vendet e cila ka dhënë mbështetje financiare si dhe mbështetje ushtarake, me prezencën e saj në kuadër të trupave të KFOR-it, të vazhdojë mbështetjen e saj për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe të shqyrtojë mundësinë për dërgimin e vëzhguesve të saj në zgjedhjet e pritshme parlamentare.
 
U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi, duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që ekzistojnë në mes të dy vendeve, tha se Zvicra për shumë qytetarë të vendit tonë është shtëpi e dytë, duke pasur parasysh faktin se atje jetojnë dhe punojnë një numër shumë i madh i qytetarëve të Kosovës.
 
“Në Zvicër jetojnë dhe punojnë shumë  qytetarë tanë të cilët kanë kontribuuar shumë në fuqizimin e jetës dhe të ekonomive familjare në Kosovë. Kemi shumë arsye që këto raporte t’i forcojmë dhe t’i zhvillojmë edhe më shumë në të ardhmen”, theksoi z. Krasniqi.
 
Ndërkaq,  ministri i Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe i Sportit i Zvicrës, Ueli Maurer, duke falënderuar z. Krasniqi për pritjen, i vlerësoi lart raportet në mes të dy vendeve, dhe shprehu përkushtimin e tij që këto raporte të mira të mbahen dhe të zhvillohen edhe më tej.

Ai bëri të ditur se vitin tjetër, Parlamenti i vendit të tij do të votojë për vazhdimin e mandatit të trupave të Zvicrës në kuadër të KFOR-it.

Ministri Maurer, vlerësoi zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe shprehu bindjen e tij se institucionet e Kosovës do të kapërcejnë suksesshëm edhe sfidat që kanë para tyre.
 
Duke çmuar rolin dhe kontributin e shumë qytetarëve të Kosovës të cilët jetojnë, punojnë dhe kanë përfunduar shkollimin në Zvicër, ai tha se vendi i tij do të vazhdojë të punojë në forcimin e partneritetit me Kosovën për kapërcimin e të gjitha sfidave.