U.D. i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti eurodeputeten Doris Pack

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti sot në takim znj. Doris Pack, anëtare e Parlamentit Evropian, me të cilën bisedoi për një varg çështjesh me interes.

“Ne sot patëm nderin që ta hapim këtë ditë të punës me eurodeputeten zonjën Doris Pack, e cila më shumë se njëzet vite ka qenë në mbështetje të proceseve që janë zhvilluar në Kosovë, gjithnjë ka qenë në mbrojtje të të drejtës dhe lirisë së qytetarëve të Kosovës. Jo që na ka mbrojtur për ndonjë arsye, por na ka mbrojtur mbi bazën e parimeve të saj, për të mbrojtur njerëzit që kanë të drejtë, njerëzit që janë në nevojë dhe njerëzit që pa të drejtë shtypen nga të tjerët”, theksoi në një konferencë për media pas takimit z.Krasniqi.

“Zonja Pack do të mbetet një luftëtare, një mbrojtëse e të drejtave të njeriut kudo që ato shkelen. Unë e falënderova për këtë mbështetje që na ka dhënë neve gjatë gjithë këtyre viteve, i premtova se ne do të jemi të angazhuar për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve demokratike dhe kam besim të plotë se zonja Pack në Parlamentin e Bashkimit Evropian do të jetë mbrojtëse e fuqishme e kërkesave të ligjshme tona siç është liberalizimi i vizave por edhe çështje të tjera të ngjashme”, tha Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.

“Kam pasur arsye ta mbështetja Kosovën. Kam qenë këtu në vitin 1990 dhe kam parë se si ju është dashur të jetoni dhe se kishte një regjim aparteidi në mes të Evropës, prandaj është e qartë se, nga ky moment, unë mund ta lija këta popull, si të them, vetëm. Prandaj jam angazhuar që nga fillimi dhe – meqë i kam përjetuar gjithë këto kohëra shumë të vështira bashkë me ju – jam gëzuar kur keni arritur ta bëheni shtet i pavarur”, tha ndërkaq zonja Doris Pack.

“Tani ju duhet të bëni çfarë duhet të bëjnë të gjitha shtetet demokratike: të punoni për mirëqenien e qytetarëve tuaj. Jam thjesht këtu me ju në një moment të veçantë jo pse e kam zgjedhur këtë moment, por pse ndodhi që ju tani të jeni në një situatë në të cilën Parlamenti nuk është më zyrtarisht në fuqi, por do të jetë kështu vetëm derisa të mbahen zgjedhjet më 12 dhjetor. Vetëm sa për t’jua ofruar përshtypjen time, qe një kohë e vështirë, por, me sa kam parë, politikanët janë marrë me këtë situatë në mënyrë normale dhe demokratike dhe e tëra që mund të them është: mirë. Këtë e bëtë dje përmes një diskutimi normal, përmes një votimi normal dhe tani keni vendosur të dilni në votime më 12 dhjetor, ndërsa unë do të përpiqem të jem këtu, të jem me ju në këtë ditë të veçantë, por vërtetë shpresoj se, pas kësaj, ju do ta keni një qeveri të fortë, e cila duhet të jetë e gatshme për çfarë është vendosur, me ndihmën e Unionit Evropian, çfarë do të thotë se duhet të ketë negociata me vendet fqinje dhe mike për gjendjen aktuale”, vijoi Pack.

“Siç dëgjova nga U.D. të Presidentit sot, serbët në Beograd i kanë ftuar serbët në Kosovë që së paku të dalin në votime, çfarë ne gjithmonë kemi kërkuar. Unë po ashtu mendoj se ky është sinjali i parë i ndryshimit dhe jam e sigurt se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe se do të bëhet më mirë”, shtoi ajo.

“E di se tani të gjithë janë të interesuar të dinë se çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave. Unë nuk mund t’jua jap përgjigjen, por shpresoj shumë se ju do ta merrni udhëzuesin, i cili është i nevojshëm dhe të cilin e kanë marrë të gjithë, por ju duhet të kuptoni se keni një shtet të ri i cili ende nuk është njohur nga pesë shtete të Unionit Evropian, kështu që lipset paksa më shumë kohë dhe shpresoj shumë se kjo kohë do të shkurtohet dhe se Parlamenti Evropian do të ndihmojë në këtë drejtim. Unë ju siguroj se ne jemi këtu për t’ju ndihmuar kudo që ju keni nevojë, si Union Evropian, por, që t’i kryejmë detyrat e tona, neve na duhet t’i bindim pesë vendet e tjera që, së paku, ta njohin Kosovën. S’ka më ndonjë arsye për të mos e bërë këtë. Pra, kjo është detyra e jonë dhe shpresoj se do t’ia dalim. Ju dëshiroj gjithë të mirat. Uroj që ta krijoni një qeveri të mirë. Do të ballafaqoheni me shumë sfida, por mendoj se t’ia dilni”, theksoi eurodeputetja Doris Pack.