UD i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO, z. Artur Kuko

UD i Presidentit të Republikës së Kosovës Dr. Jakup Krasniqi, priti sot ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO, z. Artur Kuko të cilin e njoftoi me zhvillimet e fundit politike që kanë ndodhur në Kosovë duke përfshirë këtu edhe zhvillimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në Policinë e Kosovës.

“Sot pata kënaqësinë ta pres në vizitë ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, z. Artur Kuko të cilin e njoftova me zhvillimet politike që kanë ndodhur në Kosovë, me theks te veçante me angazhimet që kemi për ta ruajtur një stabilitet politik, për të përgatitur zgjedhjet e lira dhe demokratike. Pastaj, e njoftova me zhvillimet e policisë së Kosovës, të forcave të Sigurisë së Kosovës dhe morëm informacione të nevojshme edhe për angazhimet e NATO-s dhe të KFOR-it në Kosovë”, theksoi z. Krasniqi

Poashtu, z. Krasniqi  e vlerësoi lartë vendimin që mori dje Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, të cilën konsideroi si ngjarje shumë të rëndësishme edhe për Kosovën.

“Kosova është një nga vendet më të vogla, të themi kështu, të kësaj pjese të Evropës.  Presim që pas raportit të progresit që do të del në nëntor, në fillim të nëntorit të këtij viti, realisht të jetë me e konkretizuar rruga e liberalizmit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës.”, theksoi UD i Presidentit të Kosovës, dr. Krasniqi.

Ndërkaq, Ambasadori Kuko, pasi që e falënderoi U.D të Presidentit për pritjen tha se ndodhej në Kosovë për një vizitë pune e cila nuk ka të bëjë me zhvillimet e brendshme politike në Kosovë.

  “Unë ndodhem në Kosovë në një vizitë punë, që nuk ka të bëjë me zhvillimet e brendshme politike të Kosovës, një vizitë e planifikuar prej kohe dhe synonte që të merrja informacionin sa më aktual në lidhje me çështjet e sigurisë dhe çështje të pranisë së aleancës në Kosovë, nëpërmjet KFOR-it, por edhe nëpërmjet  detyrave të reja veçanërisht detyrave që ka aleanca në ndërtimin, ngritjen e forcës së sigurisë së Kosovës”, theksoi ambasadori Kuko.

Ai shprehu kënaqësinë e tij që në Bruksel, ndjen pothuajse për çdo ditë, që institucionet e Kosovës  janë në  rritje progresive, në konsolidim, veçanërisht kjo shkon për shërbimin policor të Kosovës, por edhe forcën e sigurisë së Kosovës si shtylla solide të shoqërisë kosovare dhe të shtetit të ri të pavarur të Kosovës.

I pyetur nga gazetarët se si ai e vlerëson situatën në veri të Kosovës, sidomos aktivitetet e fundit që janë duke u zhvilluar bashkërisht nga KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës, ambasadori Kuko tha se është një situatë që ndiqet me fokus të veçantë në selinë e Aleancës.

Sipas tij, kjo është një situatë aspak e këndshme dhe se të gjitha konsultimet e vëzhguesve ndërkombëtar, çofshin këta të Bashkimit Evropian apo të Aleancës, fokusohen në veri të Kosovës si një situatë problematike e cila duhet adresuar në mënyrë të koordinuar nga autoritetet e Kosovës në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht KFOR-i ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në tërë terrenin.