U.D. i Presidentit, dr Jakup Krasniqi u takua me deputeten në Kuvendin e Maqedonisë, Ermira Mehmeti

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në kuadër të një vizite pune që është duke e zhvilluar në Shqipëri, sot pati një takim edhe me deputeten nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, zonjën Ermira Mehmeti.

Në një prononcim për media, Ushtruesi i Detyrës së presidentit, dr. Jakup Krasniqi tha: “Jemi në Shqipëri për të pasur kontakte zyrtare, që këto kontakte mos të shkëputen, po ndoshta në një mënyrë të veçantë ne e trajtuam çështjen e raportit të reporterit të Këshillit të Evropës, z. Dik Marty në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Jemi këtu edhe me deputeten nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë që e përfaqëson komunitetin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për t’i koordinuar qëndrimet e përbashkëta rreth këtij raporti për të cilin konsiderojmë se është një riciklim i disa çështjeve që kanë qenë të ngritura dhe kanë qenë të hetuara nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës dhe Tribunali ka qenë i detyruar që në fund të heq dorë nga këto hetime për faktin se s’ka pasur fakte, s’ka pasur dëshmi.

Ky raport është një riciklim i atyre gjërave dhe jemi të bindur se nuk është një raport serioz, por megjithatë neve na obligon që të kërkojmë edhe njëherë edhe nga Reporteri, edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që të gjitha faktet që i ka, nëse i ka, t’ia dorëzojë qoftë Tribunalit të Hagës, qoftë EULEX-it, si një trup profesionale e Bashkimit Evropian për të ndihmuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, ose, në fund të fundit, ne nuk i përjashtojmë mundësitë rreth krijimit të një trupe profesionale, gjithnjë për të thënë fjalën përfundimtare mbi bazën e dëshmive dhe fakteve.

Jemi të bindur se në këtë rrafsh është goditur padrejtësisht edhe Kosova, edhe Shqipëria dhe prandaj edhe Kosova edhe Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë do të duhej ta kryenin një obligim dhe të drejtë të tyre para cilitdo mekanizëm evropian dhe ndërkombëtarë për të dëshmuar pafajësinë. Në fund të fundit, ndoshta paraprakisht do të duhej që ata të cilët janë marrë me këto çështje ta tregojnë fajësinë se dikush nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë vepra të tilla kriminale që edhe për neve janë të papranueshme”.

I pyetur nga gazetarët se në çfarë konkordancash jeni marrë vesh që të bëjnë përfaqësimin në Strasbur, në kuadër të takimeve të sotme që ka pasur me delegacionin e Parlamentit Shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës dhe me zonjën Mehmeti, , Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi tha: “Dihet që Kosova nuk mund të jetë përfaqësuese, se s’është anëtare e Këshillit të Evropës. Ne edhe po të jemi atje nuk do të kemi të drejtën e fjalës, së paku deri tani kështu është.

Ne po kërkojmë edhe nga deputetët e Republikës së Shqipërisë, por edhe nga zonja Mehmeti që të japin kontributin e tyre për ta kundërshtuar këtë dokument dhe për të kërkuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që kushdo që ka fakte për gjëra të tilla le t’ua dorëzojë organeve përkatëse dhe mos t’i jepet opinionit për ta helmuar opinionin për diçka që paraprakisht drejtësia nuk e ka dhënë fjalën e vet. Do të duhej drejtësia të jepte fjalën e vet dhe pastaj opinioni të njoftohej për atë çfarë ka konfirmuar sistemi i drejtësisë, në këtë rast gjyqësia ndërkombëtare”.