U.D. i Presidentit, dr. Jaku Krasniqi mori pjesë në Ceremoninë e emërtimit të Aeroportit me emrin e Komandantit legjendar "Adem Jashari"

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mori pjesë në Ceremoninë e emërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me emrin e Komandantit legjendar Adem Jashari. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësues të familjes Jashari, Rifat Jashari si dhe shumë personalitet tjera të jetës politike të vendit.

Në vijim, po japim fjalimin e plot të Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajtur në këtë ceremoni:

E nderuara Familja Jashari,

Zonja e zotërinj


Sot në 28 nëntor 2010, në Festën më të lavdishme të shqiptarëve, e cila përveç lavdisë shekullore i dha emrin e kombit, i dha lirinë dhe pavarësinë e dyfishtë, i dha nderin dhe dinjitetin, i dha perspektivën e shumë pritur ndër breza, po urojmë e përurojmë Aeroportin e Prishtinës me emrin "ADEM JASHARI". Adem Jashari, Komandanti Legjendar i UÇK-së, i lindur më 28 nëntor 1955 dhe kjo një koincidencë e këndshme, lindi 43 vjet pas Ditës së Flamurit, që në pranverën e 44 të jetës së tij, në historinë tonë më të re bëri kthesën më të madhe duke na sjellë fillimisht frymën e lirisë e të guximit liridashës në vatrat tona deh më pas në epokën e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.

Ky emër nga sot do t’i shoqërojë të gjithë udhëtarët që nisen nga Toka për të fluturuar në Ajrin e lirë të Kosovës dhe të gjithë ata që fluturojnë e aterojnë në Aeroportin "Adem Jashari", ashtu siç i shoqëron Sharl De Goli ata që fluturojnë e aterojnë ne Aeroportin "Sharl De Gol" të Parisit apo ata në Aeroportin "Kemal Ataturku" të Stambollit.

Nga këtu, zonja dhe zotërinj, në shkurt deh mars të vitit 1999, pa kaluar formalitetet e Aeroportit të pushtuar të Prishtinës, duke pasur me veti besimin e frymës fitimtare të Komandantit Legjendar – Adem Jashari, jemi nisur për në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën dhe në qershorin e atij viti, edhe me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, të NATO-s, të SHBA-së e të BE-së, Kosova është çliruar. Por asgjë nuk erdhi pa luftën, gjakun e flijimet tona.

Para dhjetë viteve Kosova ishte shkatërruar nga Lufta, sot askund si hasim ato shkatërrime, veç monumenteve e përmendoreve dhe kujtimeve të hidhura që na i kujtojnë ato vite të vështira.

Andaj ky emërim i sotëm i Aeroportit tonë me emrin e Adem Jasharit, le t’ju shërbejë brezave për të rifreskuar kujtesën për ditët e lavdishme të historisë.

Zonja e zotërinj,

Dje, Adem Jashari, Jasharët legjendarë, i gjithë populli ynë, dhanë shumë për lirinë tonë, për pavarësinë tonë, për zhvillimin tonë, për lëvizjen tonë të lirë në tokë, në ajër e në det dhe kjo po ndodh që më tepër se dhjetë vjet.

Sot nga ne kërkohet nderimi me përkushtim për të gjithë ata që flijuan më shumë se jetën e tyre për lirinë e perspektivën tonë. Ndoshta, gjatë këtyre viteve ishim pak kurnac, ndoshta kishim hallet e përditshme të jetës e ndonjë rast meskinitet e vrapim pas lavdisë, ndonëse lavdia shkon te ata që nuk e kërkojnë, siç janë heronjtë e dëshmorët tanë, të cilët asnjëherë nuk i kujtojmë si në ditët e festave siç është kjo e Nëntorit tonë të Madh. Sot, po shpalosim Pllakatin me emrin e Adem Jasharit, të cilin emër do ta mbaj nga sot, Aeroporti i Prishtinës tani "ADEM JASHARI".

Të nderuar qytetarë,

E ndjej veten të priveligjuar e me fat që në këtë Ditë të Madhe për kombin tonë, për Republikën e Kosovës, kam mundësinë sot, t’ju drejtohem Juve, gjithë qytetarëve të Kosovës, gjithë shqiptarëve kudo janë:

URIME FESTA E NËNTORIT!

URIME PËR EMËRIMIN E AEROPORTIT TË PRISHTINËS ME EMRIN E ADEM JASHARIT !

URIME AEROPORTI "ADEM JASHARI"!