U.D. i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti shefin e ri të EULEX-it, z.Xavier Bout de Marnhac

Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës e kryetar i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti sot shefin e ri të EULEX-it, z.Xavier Bout de Marnhac.

Duke i dëshiruar mirëseardhje z. de Marnhac, z.Krasniqi tha se “ai ka ardhur në një kohë të re dhe mjaft të rëndësishme në Kosovë, në kohën kur EULEX-i në një formë ka ndryshuar edhe statusin e tij për faktin se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka bërë që EULEX-i të mos jetë neutral ndaj statusit, ka ardhur në një kohë kur jemi duke u organizuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në kohën kur edhe përfaqësuesit serbë të Beogradit po u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e ri të Republikës së Kosovës”.

“Edhe EULEX-i edhe Kosova kanë treguar një nivel të suksesshëm në sundimin e rendit dhe të ligjit, kështu që edhe z.de Marnhac dhe EULEX-i kanë lehtësi të reja për të ushtruar përgjegjësitë që kanë edhe me Kushtetutë, por edhe me ligjet që kanë miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi z.Krasniqi.

“Jam shumë i bindur se bashkëpunimi me EULEX-it nën drejtimin e de Marnhac, që e njeh mirë gjendjen në Kosovë, pasi ka qenë edhe komandant i KFOR-it Kosovë, ka lehtësi të reja por ta ushtruar detyrën që ka EULEX-i në tri fushat, në sundimin e rendit, në gjyqësorin, në doganat e Kosovës dhe në sigurinë e Kosovës”, theksoi z.Krasniqi.

“Kjo është vizita ime e parë në ditën time të parë si Shef i ri i Misionit [të EULEX-it]. Vetëm dua të them para së gjithash se Shefi i Misionit [të EULEX-it] është zëvendësuar, por misioni mbeti i njëjti, objektivat mbeten të njëjtat”, tha ndërkaq shefi i ri i EULEX-it, z.Xavier Bout de Marnhac.

“Kam kënaqësinë që pata mundësinë të takohem me sot Kryetarin e Kuvendit, Ushtruesin e Detyrës së Presidentit të Kosovës. Këmbyem një pasqyrë të shpejtë dhe të përgjithshme të zhvillimeve dhe gjendjes aktuale. Unë e sigurova kryetarin për përkushtimin tim për të bashkëpunuar sa më shumë që të jetë e mundur me të dhe me institucionet e Kosovës, në mënyrë që, siç ka bërë edhe paraardhësi im, ta promovojmë sundimin e ligjit dhe që sundimi i ligjit të konsolidohet sa më shumë që të jetë e mundur këtu në Kosovë. Faleminderit zoti President që ma ofruat mundësi dhe i pres me padurim takimet tona të ardhshme”, shtoi z.de Marnhac.

I pyetur a do ta vazhdojë me mënyrën e njëjtë të punës sikur paraardhësi i tij dhe a do të ketë rezultate në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar gjatë mandatit të tij, z.de Marnhac tha: “Siç thashë, misioni mbetet i njëjti. Sigurisht, personalitetet mund të ndryshojnë paksa. Unë  mendoj se Yves de Kermabon ka qenë lider i madh për misionin. Unë sigurisht e kam stilin tim [të udhëheqjes] dhe supozoj se kjo të bëhet ngadalë më e dukshme për të gjithë. Po, ne synojmë rezultate dhe rezultate do të ketë në kohët që vijnë”.

Ndërsa, i pyetur rreth kërkesës për interpretim nëse kryerja e detyrës së ushtruesit të detyrës së Presidentit dhe mbajtja e postit të sekretarit të përgjithshëm të PDK-së paraqet shkelje ligjore, U.D i Presidentit, z.Jakup Krasniqi u përgjigj: “Unë kërkesën e kam bërë dhe pres përgjigje, edhe pse Kushtetuta thotë qartë se pasi të zgjidhet Presidenti ka obligim të japë dorëheqje nga pozitat e tjera. Unë nuk jam President i zgjedhur, megjithatë unë do ta respektoj mendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.

I pyetur lidhur me kohën kur do të shpallet data e zgjedhjeve të parakohshme, z.Krasniqi tha: “Sot e kemi edhe një takim me partitë politike dhe është gati afati i fundit që ne duhet t’i caktojmë dy data, datën për zgjedhje në komunën e Rahovecit dhe datën për zgjedhjet e përgjithshme që duhet të mbahen në muajin shkurt. Data e saktë do të dihet sot”.

“Kushtetuta e përcakton afatin. Rreth 40-45 ditë para se të përfundojë mandati im kushtetues do të duhej të mbahen zgjedhjet”, tha ai.