U nënshkrua marrëveshja e parë bilaterale mes ShBA-ve dhe Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi nënshkruan sot me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, Marrëveshjen e parë formale bilaterale për ndihmë ekonomike në mes SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës.

Kjo ndihmë do të  orientohet në zhvillimin e gjithanshëm dhe veçanërisht në fushat infrastrukturore për Kosovën, në ekonomi, në transporte, në edukim dhe aspekte të tjera.

Presidenti Sejdiu, nënshkrimin e marrëveshjes për ndihmë ekonomike në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka vlerësuar si një moment tepër të veçantë, një kaptinë e re e zhvillimit të saj dhe e deklarimit edhe praktik të mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Dëshirojmë t’ju informojmë se sot kemi një ditë dhe një moment tepër të veçantë ku do të nënshkruajmë një marrëveshje tepër të rëndësishme midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmë ekonomike Republikës së Kosovës. Mund të them se është një marrëveshje që nxjerr dhe sheshon edhe më tej përkushtimin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmë Kosovës, duke ju bashkangjitur ndihmave të vazhdueshme që ky vend mik ka bërë për Kosovën”, theksoi Presidenti, në një deklaratë para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.

Kjo ndihmë, sipas Presidentit Sejdiu, do të orientohet në zhvillimin e gjithanshëm dhe veçanërisht në fushat infrastrukturore për Kosovën, në ekonomi, në transporte, në edukim dhe aspekte të tjera dhe si e tillë do të jetë një nxitje e veçantë për një zhvillim më të shpejtuar të vendit tonë.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu u shpreh se Republika e Kosovës është e përkushtuar që çdo cent i ndihmës ndërkombëtare dhe i buxhetit të vet të shfrytëzohen në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme.


“Jemi në vitet e mbara të zhvillimit të Kosovës, për ne është shumë me rëndësi që të shpejtojmë hapat e zhvillimit në të gjitha fushat, është me rëndësi po ashtu përkushtimi që ka Republika e Kosovës që çdo cent i pjesës së mbështetjes por edhe i buxhetit të vet të shfrytëzohet në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme dhe duke pasur parasysh edhe pjesën e ndihmave që Kosova i ka marrë në vitin 2008, në Konferencën e Donatorëve, si dhe ndihmave të tjera në vazhdimësi që i kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë krijuar mundësitë e mira të shpejtimit të hapave zhvillimor”, tha Presidenti Sejdiu.

Edhe Kryeministri Thaçi, nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes bilaterale në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës e ka vlerësuar si dëshmi e fuqishme e lidhjeve për ndihmë për të sotmen dhe të ardhmen  në mes të dy vendeve.

“Kjo marrëveshje paraqet edhe një garanci tjetër të përkushtimit të  fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetje Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndërsa ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell shprehu përkushtimin e vendit të tij për ndihmë Kosovës.

“Qeveria e SHBA-ve mbetet e përkushtuar për t’i ndihmuar Kosovës së pavarur dhe për ta realizuar qëllimin tonë të përbashkët për ndërtimin e një vendi demokratik, shumetnik dhe përparimtar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ambasadori Dell.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje sot, qeveria e Kosovës dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës konfirmojnë përkushtimin e tyre të përbashkët në këtë aspekt. Ne kemi rënë dakord që të punojmë së bashku që të realizojmë objektiva të rëndësishme në ecjen tonë drejt prosperitetit ekonomik. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për ta shtuar funksionimin e buxhetit dhe thesarit; do të angazhohemi në nxitjen e partneriteteve publike private dhe në financimin e infrastrukturës publike; jemi duke punuar në përforcimin e sistemeve të vjeljes së tatimeve dhe në avancimin e një mjedisi që do të mundësojë që këtu të lulëzojë një ekonomi e tregut konkurruese dhe e larmishme; po punojmë së bashku  në krijimin e një fuqie punëtore të trajnuar mirë dhe produktive të përbërë nga kosovarë që mund t’i plotësojnë nevojat e sektorit privat sot dhe nesër”, vijoi z.Dell.

“Tërë kjo punë përbën sfidë. Por, Kosova i njeh shumë mirë sfidat dhe kur shoh se çka kemi arritur me anë të përpjekjeve tona të përbashkëta, jam plotësisht i bindur se e ardhmja do të jetë edhe më e ndritshme se e tashmja madhështore që po e shijojmë këtu. Më është ofruar kënaqësia e veçantë që ta kem mundësinë t’i bashkohem të nderuarit President dhe të nderuarit Kryeministër në miratimin e kësaj marrëveshjeje midis dy vendeve tona”, tha ambasadori Dell.