U inaugurua ambasada e Maqedonisë në Prishtinë

Presidenti Sejdiu, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni si dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, morën pjesë në inaugurimin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë.

Hapjen e ambasadës së Republikës së Maqedonisë në vendin tonë,  Presidenti Sejdiu e vlerësoi si  një moment të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve sovrane.

“Hapja e ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë është një moment i veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona sovrane dhe kemi kënaqësinë që sot në Kosovë kemi ministrin Milloshoski”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu foli edhe për përvojat e Maqedonisë në rrugën e integrimeve, me ç’rast tha se ato do të jenë të rëndësishme edhe për Kosovën, sidomos sa i përket rrugëtimit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Duke folur për komunikimin shumë të mirë në mes të dy vendeve, Presidenti Sejdiu tha se njerëzit e biznesit, të shkencës, të kulturës nga Kosova dhe nga Maqedonia kanë lëvizur edhe më herët sesa politika, dhe është me rëndësi që janë krijuar baza të mira të komunikimit dhe strukturë legjislative mbështetëse nga të dy vendet.

Presidenti Sejdiu, në fund të fjalës së tij, përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në takimin e mëhershëm me Presidentin Ivanov se është fat për të dy vendet që në këto zhvillime kanë miq të përbashkët ndërkombëtarë dhe se do të vazhdohet në këto aleanca.