U. D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti një delegacion të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës, dr. Jakup Krasniqi priti sot në takim një delegacion të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, të prirë nga z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani.

“Ne patëm një takim të përzemërt me Kryetarin e Gjykatës të Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe me anëtarët e tjerë të kësaj gjykate, me kryetarin e gjykatës tonë Kushtetuese.

Na vjen mirë që komunikimi, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave mes dy gjykatave tona kushtetuese është duke vazhduar në një temp mjaft intensiv”, tha Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës, dr. Jakup Krasniqi.

“Si njeri i politikës që kam dëshirë dhe synim që në Kosovë dhe në Shqipëri kushtetutshmëria dhe ligjshmëria  të ketë një ngritje, një kontinuitet më të mirë se sa që është sot, i përshëndeta dhe iu urova këtë shkallë të bashkëpunimit që ekziston midis dy kushtetueseve tona dhe sigurisht që niveli edhe i kushtetutshmërisë edhe i ligjshmërisë me një profesionalizëm do të arrijë shkallën që tani janë të paarritshme por do të jetë gjithnjë në ngritje”, vijoi z.Krasniqi.

“Ndërtimi i shoqërisë demokratike nënkupton sundimin e rendit dhe të ligjit dhe nënkupton sundimin e ligjit, sundimin e kushtetutshmërisë në mbrojtjen e kushtetutës nga shkelësit e ndryshëm. Kështu që edhe njëherë ju dëshiroj z. Kryetar juve, Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe të Kosovës, suksese në gjitha fushat që ju do t’i shihni me interes të bashkëpunimit dhe të zhvillimit”, tha ai.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja u shpreh se në takim u diskutua për bashkëpunimin midis dy gjykatave kushtetuese.

“Konstatuam me kënaqësi se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ndonëse një gjykatë e re, ka arritur që të krijojë fizionominë e saj, të jetë një gjykatë e cila ka zbatuar dhe vazhdon të zbatojë ligjet kushtetuese dhe ligjet e këtij vendi, ka arritur të ngrihet mbi interesat dhe mbi politikën”, tha ai.

“Është një gjykatë e cila ka një bashkëpunim shumë të frytshëm me Gjykatën e Republikës së Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit dhe më gjerë. Nga ana e gjykatës kushtetuese i premtova presidentit se do të ketë gjithë mbështetjen e nevojshme në çfarëdo lloj projekti dhe ndihme që ajo do ketë nevojë për ndihmën tonë. Njëkohësisht sigurova Presidentin se ne do jemi gjithmonë bashkëpunues dhe i uroj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës suksese në punën e saj fisnike në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve. Gjithashtu Presidentit i uroj suksese në detyrën e tij të vështirë në menaxhimin e kësaj situate të politikës së Kosovës dhe shpresoj dhe besoj se ai do të arrijë ta miratojë me sukses dhe mënyrat do të ecin shumë më mirë dhe përpara”, theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja.