Transkripti i konferencës për media pas takimit të Presidentit Sejdiu me Kryeministrin Thaçi

Sejdiu: Ne kemi takime të rregullta me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës për zhvillimet e planifikuara për punën që e bëjmë gjatë javës gjithmonë. Natyrisht, një takim të veçuar me kryeministrin, i cili bëri një informacion të detajuar nga vizita që ka pasur në Kombet e Bashkuara, në Këshill të Sigurimit, por edhe për proceset e tjera që janë në zhvillim dhe që janë pjesë e kësaj kohe të veçantë, si dhe planifikimet që i kemi këto ditë e që lidhen veçanërisht me statusin.

Mund t’ju them se çështjet janë në një dinamikë sa më të saktësuar dhe kujtojmë për një kohë shumë të shkurt pas edhe disa takimeve të rëndësishme që do t’i zhvillojmë, në koordinim me miqtë e Kosovës, ne do të japim edhe një orientim themelor në momentin kur edhe Kuvendi i Kosovës do të marrë vendimin e vet. Përafërsisht atë që ju kemi thënë me kohë, kornizën kohore e kemi të përafruar dhe natyrisht do të vijë koha kur do të japim një informacion shumë të qartë dhe jo larg.

Thaçi: Kam bërë sot një informim për presidentin e Kosovës rreth vizitës dhe mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, përfaqësimit të Kosovës, që ka qenë një përfaqësim i koordinuar dhe shtetëror, ku është prezantuar vullneti i qytetarëve të Kosovës për Kosovën e pavarur, shtet demokratik.

Në të njëjtën kohë diskutuam edhe për hapat e mëtutjeshëm rreth përgatitjes për vizitën në Bruksel, në mënyrë që të ecim në hapat të koordinuar dhe në bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Uashingtonin, Brukselin, dhe të përmbyllim çështjen e statusit në mënyrë shumë të suksesshme me politik unifikuese kosovare e gjithëqytetare, e në të njëjtën kohë edhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, në të njëjtën kohë, jemi duke punuar edhe për veprimet e tona të përbashkëta me autoritet e UNMIK-ut, NATO-së në hapat tonë të mëtutjeshëm.

Pyetjet:

Kosova sot: Çfarë sinjali keni marrë deri tash nga shtetet mike?

Sejdiu: Sinjalet janë mbështetëse, nuk janë vetëm sinjale, por janë mbështetje e fuqishme që janë dhënë me kohë dhe janë po të njëjtat. Për ne është me rëndësi që këtë koordinim ta vazhdojmë me këtë temp që kemi dhe natyrisht ta mbërrijmë qëllimin shumë shpejt. Për ne është me rëndësi që të bëjmë vendimin dhe kujtoj se do të jenë akte të harmonizuara.

Lajm: A do të shpallet pavarësia para se të vijë misioni i BE-së, apo pas ardhjes së tij, siç po insiston Sllovenia?
 
Sejdiu: Sllovenia është në kuadër të politikave të përbashkëta të BE-së, për ne është me rëndësi që të marrim një vendim që do të sjellë rezultat dhe besoj se do të ndodhë shumë shpejt.

Koha ditore: Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë, Miliband, është cituar të ketë thënë se Kosova do të shpallë pavarësinë më 4 shkurt. A pajtoheni ju?

Sejdiu: Ne pajtohemi se do ta bëjmë shumë shpejt dhe absolutisht do të koordinohemi me të gjithë këta që janë mbështetës të Kosovës, edhe me Britaninë.