Telegram ngushëllimi

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i ka dërguar një telegram ngushëllimi znj. Nancy Pelosi, Kryetare e Kongresit Amerikan, me rastin e vdekjes së kongresistit Tom Lantosh. Më poshtë po e japim tekstin e këtij telegrami.

E nderuara Nancy Pelosi
Kryetare e Kongresit Amerikan
Uashington, SHBA

Na ka pikëlluar thellë vdekja e z. Tom Lantosh, kongresist i njohur amerikan, i cili ishte një mbrojtës i përkushtuar i të drejtave dhe lirive njerëzore në gjithë globin. Në emër të popullit dhe të institucioneve të Kosovës ju shpreh ngushëllimet tona më të thella për vdekjen e këtij njeriu të madh dhe miku të popullit të Kosovës.


Ne, populli i Kosovës, kemi gjetur te kongresisti Tom Lantosh një mik të përkushtuar në rrugën tonë për liri dhe pavarësi gjatë pothuajse dy dekadave të fundit. 


Themeluesi i shtetit të Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova, një mik i vjetër i kongresistit Lantosh, i kishte akorduar atij “Medaljen e Artë të Lirisë”, në qershor të vitit 2004, me rastin e pesëvjetorit të lirisë së Kosovës, një nga përkrahësit më të mëdhenj të së cilës ishte vetë Tom Lantoshi. 


Shkuarja në amshim e kongresistit Tom Lantosh është një humbje e madhe për të gjithë ne që kemi qenë bashkë me të në përkushtimin për vlerat universale të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, për popujt dhe kombet në rruzullin tokësor.

E nderuara kryetare Pelosi,

Ju lutem pranoni ngushëllimet tona në këto çaste të zisë për humbjen e njeriut të madh, ndërsa përmes jush do të donim të ngushëllojmë familjen Lantosh për humbjen e më të dashurit të tyre. Me mendime dhe me lutje jemi bashkë me ju.

Dr. Fatmir Sejdiu   
President i Kosovës