Takime të ngjeshura të Presidentit Sejdiu gjatë vizitës në SHBA

26.09.2009. - Presidenti Sejdiu takoi Presidentin e Malawi-t - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu pati takim të ngrohtë me Presidentin e Malawi-t, z. Bingu wa Mutharika, me të cilin bisedoi për zhvillimet historike dhe politike në Kosovë, duke paraqitur argumentet në favor të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj.

Presidenti Mutharika theksoi se populli i Kosovës ka të drejtë të jetë i lirë dhe i pavarur dhe të vendosë për fatin e vet sikur çdo popull tjetër në botë. Në veçanti, theksoi ai, Kosova meriton të jetë e pavarur sikur edhe të gjitha njësitë tjera të ish-Jugosllavisë që tanimë janë të pavarura. Ai premtoi se vendimi për njohjen e Kosovës nga ana e Malawi-t do të ndodhë shumë shpejt dhe mirëpret vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve. 

*****

Kryeministri i Tuvalu-s premton njohjen e pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu takoi Kryeministrin e Tuvalu-t, z. Apisai Ielemia, i cili njëherësh është edhe Ministër i Jashtëm i këtij vendi. Në këtë takim u diskutua për njohjen e Republikës së Kosovës nga ky vend, ndërsa Presidenti Sejdiu paraqiti argumente bindëse për legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai e ftoi këtë shtet që sa më parë të marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sepse me një veprim të tillë do të mbështetej e drejta dhe vullneti i popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur. 


Kryeministri Ielemia e siguroi Presidentin Sejdiu se autoritetet e Kosovës shumë shpejt do të marrin lajmin e mirë për njohje nga Tuvalu. Ai theksoi gatishmërinë e këtij shteti për të mbështetur Kosovën dhe për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve.


*****

Presidenti Sejdiu morri pjesë në ceremoninë e pritjes për 40-vjetorin e OKI-t

Presidenti Sejdiu mori pjesë në pritjen e organizuar nga Organizata e Konferencës Islamike, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të kësaj organizate. Përveç takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-t, Presidenti Sejdiu pati rast të ketë biseda të shkurta edhe me Presidentin e Somalisë, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Kryeministren e Bangladeshit, Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Ministrin e Jashtëm të Taxhikistanit, Ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ministrin e Jashtëm të Kazakistanit dhe Ministrin e Jashtëm të Libanit.


Në të gjitha këto biseda, Presidenti Sejdiu ritheksoi rëndësinë e njohjes së Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë hap sepse kjo do të hapte mundësi të reja zhvillimi dhe bashkëpunimi dhe do të kontribuonte për stabilitetin dhe paqen në rajon dhe në tërë Evropën. 


*****

Presidenti Sejdiu dorëzoi çmimin “Duart e Shpresës”, që iu dha Presidentit Ahtisaari nga KKSHA

Në darkën vjetore të organizuar nga Këshilli Kombëtarë Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), Presidenti Sejdiu i dorëzoi Presidentit Ahtisaari çmimin Hands of Hope (Duart e Shpresës), i cili iu dha këtij të fundit nga KKSHA. 


Gjatë prezantimit të Presidentit Ahtisaari, Presidenti Sejdiu theksoi rëndësinë historikë që pranuesi i çmimit ka për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj. Presidenti Sejdiu vlerësoi lart rolin e Presidentit Ahtisaari për paqe dhe liri në shumë vende të botës dhe në veçanti në Kosovë.  


Në fjalimin e mbajtur pas pranimit të çmimit, Presidenti Ahtisaari theksoi se pavarësia e Kosovës është shans që t’i përmirësojmë gabimet e të kaluarës.  Ai vazhdoi se Kosova është e pavarur dhe gjithmonë do të mbetet e pavarur. 


*****

Presidenti Sejdiu takoi udhëheqësit e APEN-it

Presidenti Sejdiu ka takuar edhe të rinjtë profesionistë shqiptaro-amerikan, të cilët udhëheqin shoqatën e tyre APEN (Albanian-American Professionals and Entrepreneurs Network).  Në këtë takim të përzemërt, Presidenti Sejdiu i ftoi ata që t’i ndajnë përvojat e tyre me kolegët në Kosovë dhe ta thellojnë bashkëpunimin në të gjitha sferat duke hapur rrugë që kontributi i tyre të jepet edhe për zhvillimin e Kosovës.