Sqarim i Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës

Meqenëse në mediat e sotme ka pasur një varg “njoftimesh” për pagën e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e vlerësojmë të nevojshme të japim sqarimet e mëposhtme si për për mediat, ashtu edhe për qytetarët e vendit.

- Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, nga muaji i fundit merr pagën 3.100 euro, e jo 3.400 euro, siç ka dalë sot në disa media;

- Presidenti Sejdiu jeton në një shtëpi që e ka në bashkëpronësi me vëllezërit e tij, në Prishtinë, nuk ka rezidencë presidenciale dhe nuk gëzon asnjë privilegj tjetër, që i gëzojnë presidentët në të gjitha vendet e tjera, siç janë shërbimet ndihmëse në familje, shërbimet shëndetësore dhe format e tjera të parapara me Protokollin e shtetit;

- Gjithashtu, duhet të ripërsërisim se me këtë pagë, Presidenti Sejdiu i mbulon edhe të gjitha shpenzimet e tjera, që janë të lidhura drejpërdrejt me aktivitetet e tij shtetëror si President i vendit, të cilat kudo në botë mbulohen nga buxheti shtetëror, e jo nga paga e Presidentit.

- Ndërkohë, që nga zgjedhja e z. Fatmir Sejdiut President i Kosovës, bashkëshortja e tij, zonja e parë e vendit, Nezafete Sejdiu, e ka ndërprerë marrëdhënien e punës. As ajo nuk i gëzon privilegjet që i takojnë kudo një zonje të parë të shtetit.