SHBA-të ritheksojnë mbështetjen e plotë për Republikën e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota patën sot një takim të përbashkët me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, z. Ivo Daalder (NATO)dhe z. William Kennard (EU), në të cilin ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, z. Christofer Dell.

Edhe në këtë takim, Presidenti Sejdiu shprehu falënderimin e përhershëm të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për përkrahjen e fuqishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës.

“Republika e Kosovës ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjitha vendet fqinje të para, si dhe me vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Serbisë, e cila, fatkeqësisht, po e vazhdon politikën e saj destruktive ndaj vendit tonë”, pohoi Presidenti Sejdiu. Në këtë kontekst, Presidenti Sejdiu tha se institucionet e vendit janë të vendosura t’i përmbushin zotimet e dhëna për jetësimin e plotë të të drejtave dhe lirive për të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos për ata të komuniteteve pakicë, të cilat janë përfshirë edhe në Planin e Presidentit Ahtisaari, si dhe në vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Më tej, Presidenti Sejdiu tha se mendimi shumë i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka hequr çfarëdo dilemash që mund të kenë pasur vendet e ndryshme sa i përket legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Presidenti Sejdiu foli edhe për sfidat, me të cilat përballet sot vendi ynë, duke theksuar se pavarësisht vështirësive, Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miqve të saj.

“Vizioni i popullit dhe i institucioneve të Republikës së Kosovës është anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, si dhe ruajtja dhe thellimi i mëtejmë i miqësisë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Presidenti Sejdiu.   

Ndërkaq, kryeministri Thaçi u përqendrua në angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se Qeveria i ka kushtuar kujdes të veçantë edhe investimit në komunat në të cilat pjesëtarët e komuniteteve pakicë përbëjnë shumicën e qytetarëve. Ai theksoi se Kosova ka arritur rezultate shumë të ndjeshme në forcimin dhe konsolidimin e shtetit dhe po punon me përkushtim që Raporti i Progresit i këtij viti të jetë më i suksesshëm, sidomos në fushë të sundimit të rendit dhe të ligjit, të luftës kundër korrupsionit etj.

Po ashtu, kryeministri Thaçi tha se qytetarëve të Kosovës duhet t’u ofrohet strategjia për liberalizimin e vizave, sepse Kosova, ndonëse ka arritur rezultat në të gjitha fushat, prapëseprapë ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë.

Presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi dhe ministri Hyseni u ndalën në mënyrë të veçantë edhe në projektrezolutën e paraqitur nga Serbia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ata njëzëri theksuan se kurrfarë rezolute që e konteston pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e saj të plotë, pa marrë parasysh modifikimet që mund t’i bëhen, nuk është e pranueshme për Kosovën.

Liderët e Kosovës pohuan sërish gatishmërinë e plotë të Kosovës për bashkëpunim të gjithanshëm me misionet ndërkombëtare që janë në vendin tonë, veçanërisht me KFOR-in, i cili ka bërë një punë të shkëlqyeshme në Kosovë, por edhe me EULEX-i dhe mekanizmat e tij, që po ndihmojnë në shtrirjen e sundimit të rendit dhe të ligjit.

Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, z. Christofer Dell inkurajoi institucionet e Kosovës që të punojnë edhe më tej për përmirësimin e mirëqenies së jetës së të gjithë qytetarëve pa dallim etnie në mbarë Kosovën.

Ndërkaq, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, z. Ivo Daalder dhe z. William Kennard ritheksuan përkushtimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta mbështetur në çdo aspekt zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë. Ata thanë se Republika e Kosovës, gjatë këtyre dy vjet e gjysmë prejse ka shpallur pavarësinë, ka shënuar progres në të gjitha fushat.

Ambasadorët Daalder dhe Kennard theksuan qëndrimin e prerë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kundërshtojnë fuqishëm rezolutën e Serbisë, nëse ajo vihet në rend të ditës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Njëkohësisht, ata vlerësuan qasjen e matur të institucioneve të Republikës së Kosovë dhe gatishmërinë e vendit tonë për harmonizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë.