Sejdiu: Zvicra ka qenë një zë i fuqishëm për pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u kthye nga vizita në Cyrih të Zvicrës, ku mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të një pllake të falënderimit të popullit dhe të institucioneve të Kosovës për popullin zviceran.

“Ishim në Zvicër në Cyrih, në një manifestim të rëndësishëm të zbulimit të pllakës së falënderimit të popullit dhe të institucioneve të Kosovës për Zvicrën dhe për popullin zviceran”, theksoi Presidenti Sejdiu pas kthimit nga Cyrihu.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, Presidenti Sejdiu është takuar me znj, Micheline Calmy- Ray, Ministre e Jashtme e Zvicrës, e cila një kohë të gjatë ka qenë zë i fuqishëm i arsyes dhe i kërkesës për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj si dhe me kryetarin e qytetit të Cyrihut, z. Elmar Ledergerber i cili ka kontribuar shumë që pllaka të vendoset aty.

Presidenti Sejdiu i ka falënderuar edhe përfaqësuesit e një shoqate kosovare për pritjen e jashtëzakonshme që i kanë bërë delegacionit nga Kosova në kuadër të së cilit ishin edhe zëvendëskryeministri, z. Hajredin Kuçi dhe disa ministra e përfaqësues të partive politike të Kosovës.