Sejdiu: Strukturat paralele duhet të shuhen menjëherë

- Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot shefin e EULEX-it, z. Ive de Kermabon dhe zëvendësshefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, z. Fletcher Burton, me të cilët diskutoi për veprimet e vazhdueshme të Serbisë, nëpërmjet strukturave paralele, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Presidenti Sejdiu shprehu shqetësimet e tij, në veçanti për veprimet e fundit të Serbisë, që paraqesin investim të drejtpërdrejtë në strukturat paralele dhe në aktivitetet e tyre ilegale. Duke kundërshtuar vendimin e fundit të Serbisë për emërimin e gjyqtarëve për të punuar në gjykatat paralele në Kosovë, Presidenti Sejdiu theksoi se Republika e Kosovës ka një sistem të vetëm dhe unik gjyqësor dhe çfarëdo tentimi për ta cenuar atë është absolutisht i papranueshëm dhe kundërligjor.

Presidenti Sejdiu kërkoi mbështetje nga EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare që të ndërmerren masa urgjente për shuarjen e strukturave paralele dhe parandalimin e veprimeve të tjera destruktive të Beogradit. Po ashtu, ai kërkoi që të vazhdohet përkrahja e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit, që përfshin edhe shuarjen e menjëhershme të strukturave paralele. Është obligim i të gjitha institucioneve të Kosovës që në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura për ta realizuar këtë obligim”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu çmoi bashkëpunimin me EULEX-in duke shprehur gatishmërinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.