Sejdiu: Rrota e historisë nuk mund të ndalet dhe as të kthehet pas

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e vlerësoi sot irracionale qasjen e Rusisë ndaj Kosovës. Ai theksoi se Kosova është e pavarur mbi argumente të fuqishme, fillimisht mbi vullnetin e popullit të saj.

Presidenti Fatmir Sejdiu i është kundërpërgjigjur sot qëndrimeve të presidentit të Rusisë Dimitri Medvedev lidhur me Kosovën, të bëra gjatë vizitës së tij në Beograd, duke thënë se rrota e historisë as nuk mund të ndalet dhe as të  kthehet pas.

“Rrota e historisë as nuk mund të ndalet dhe as nuk mund të kthehet, Kosova është e pavarur mbi argumente të fuqishme, në radhë të parë mbi vullnetin e popullit të saj, të zhvillimeve të mëhershme, të cilësisë që ka pasur në kuadër të një shteti që është shkatërruar, sepse ka qenë njësi përbërëse e atij shteti, dhe në kuadër të të gjitha proceseve të tjera që kanë ndodhur, prej intervenimit humanitar për të shpëtuar nga gjenocidi popullin e Kosovës e deri tek ndërtimi i institucioneve demokratike, në proceset e bisedimeve, në karakterin sui-generis të saj në të gjitha aspektet, andaj jemi ku jemi dhe Kosova është e pavarur”, ka theksuar presidenti Sejdiu.

Presidenti ka folur edhe për angazhimin e Rusisë në të kaluarën, në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe mekanizmave të tjerë në kohën e zhvillimit të negociatave për Kosovën dhe shfaqi shpresën për një qasje të re të Rusisë ndaj Kosovës në të ardhmen, duke rikujtuar se qëndrimi i Rusisë ka qenë për një zgjidhje e cila do të ishte e qëndrueshme për paqen dhe stabilitetin dhe ajo zgjedhje është pavarësimi i Republikës së Kosovës, theksoi Presidenti.

Përkundër qëndrimeve të tilla, Presidenti Sejdiu paralajmëroi njohje të reja, ndërsa vlerësoi lart vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë.
Presidenti Sejdiu i ka bërë këto komente sot, pas takimit me ambasadoren e re të Finlandës, në Kosovë, Tarja Laitiainen, e cila i dorëzoi letrat kredenciale dhe ofroi mbështetjen e vendit të saj për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.