Sejdiu priti kryetarin e Bashkisë së Ankarasë, z. Melih Gokçek

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, shprehu sot falënderimin e institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për ndihëmn e jashtëzakonshme që ka dhënë dhe po jep Turqia për vendin tonë. Po ashtu, ai pohoi se Kosova do të punojë me përkushtim të plotë për instensifikimin e marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve, por edhe me vendet e tjera të rajonit, sepse është e interesuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

“Republika e Kosovës do të jetë faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe do të promovojë politikën e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, sepse ky është kusht i rëndësishëm për të gjithë ne që aspirojmë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s”, tha Presidenti Sejdiu.

Ndërsa, z. Gokçek theksoi se Turqia, dhe veçanërisht Ankaraja, do ta vazhdojë përkrahjen për Republikën e Kosovës, duke potencuar disa projekte konkrete, si në nga fusha e ekonomisë, ashtu edhe nga ajo e arsimit dhe e kulturës, nëpërmjet të cilave kryeqyteti turk synon të ndihmojë për përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të jetës së qytetarëve të Kosovës.