Sejdiu priti komandantin e KFORit, gjeneralin Gay dhe pasardhësin e tij, gjeneralin Bentler

“Puna profesionale dhe angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjithë komandantëve dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe përkushtimi i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës kanë bërë që sot në vendin tonë të kemi paqe, qetësi dhe stabilitet të përgjithshëm”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me komandantin e KFOR-it, gjeneralin italian Giuseppe Emilio Gay, i cili shoqërohej edhe nga pasardhësi i tij në këtë detyrë, gjenerali gjerman Markus Bentler.

Presidenti Sejdiu pohoi se KFOR-i është një faktor shumë i rëndësishëm i paqes, stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin.

Me këtë rast, ai e vlerësoi lart punën e suksesshme të gjeneralit Gay si komandant i KFOR-it. Ndërsa, gjeneralit Bentler Presidenti i shfaqi urimet më të mira për besimin e dhënë që të komandojë forcat e paqes në Kosovë, duke i garantuar përkushtimin e plotë të institucioneve të vendit për bashkëpunim të mëtejshëm Ndërkaq, gjenerali Gay tha se KFOR-i i ka të gjitha kapacitet e nevojshme për të siguruar një ambient paqësor, të qetë dhe të sigurt në Kosovë edhe pas reduktimit të trupave në terren.

Ai shfaqi besimin e plotë se pasardhësi i tij në këtë detyrë, gjenerali Bentler do ta drejtojë me sukses KFOR-in në procesin e tranzicionit, përkatësisht të reduktimit numerik të kësaj trupe shumëkombëshe. Nga ana e tij, gjenerali Bentler e quajti një mirënjohje dhe nder të veçantë besimin që i është dhënë për t’u prirë forcave të KFOR-it, të cilat, siç tha ai, pavarësisht numrit, janë dhe do të jenë në gjendje në çdo kohë të sigurojnë paqen për të gjithë në Kosovë.

Gjithashtu, në këtë takim u çmua puna e mirë që po bëhet për formësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe roli tepër i rëndësishëm që kanë në këtë mision ekspertët e NATO-s.