Sejdiu: Presidenti Rugova – njeriu që bëri epokë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka bërë sot homazhe para varrit të Presidentit historik të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova.

“Unë sot erdha me ekipin tim që të bëj homazhe te varri i Presidentit Rugova, personalitetit më të fuqishëm të lëvizjes politike të fundshekullit të kaluar dhe të fillimshekullit tonë, i cili bëri epokë, siç e kam thënë edhe më herët”, theksoi Presidenti Sejdiu, në një prononcim me këtë rast.

“Sot, është një moment i veçantë, flas për kthesën e madhe historike që kanë bërë shqiptarët në Kosovë, në ditën e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti që arriti në atë kohë edhe në karakter lëvizje që të bashkojë gjithë energjitë politike dhe gjithë energjitë e kombit në përpjekjet e përbashkëta për rezistencë dhe në rrugën për liri, pavarësi dhe demokraci”, shtoi Presidenti Sejdiu.

Merita e Presidentit Rugova është pikërisht në marrjen e timonit udhëheqës të këtij formacioni politik që nuk ishte vetëm i përmasave të Kosovës, por i përmasave edhe përtej saj, sepse arriti, në të njëjtën kohë, të lëvizë fuqishëm në drejtimet e përbashkëta në zhvillimet politike për të gjithë shqiptarët në ish-federatën. Ishte partia e parë, lëvizja e parë politike që ecte në mënyrën më të suksesshme në trendet e kohës, në të gjitha ato zhvillime që i kishte Evropa Juglindore në kohën e tronditjeve të mëdha të rënies së sistemit të komunizmit. Paralelisht, mund të them se idetë që ishin shtruar edhe në ditën e themelimit edhe në vazhdimësi në udhëheqjen e Presidentit Rugova ishin ato që frymonin në përputhje të plotë me idealet e lirisë, idealet e zhvillimeve demokratike, të drejtave dhe lirive njerëzore, me idealet e demokracisë perëndimore, vijoi Presidenti Sejdiu.

Sot është një moment i rëndësishëm edhe nga kjo arsye, për faktin se Presidenti historik i Kosovës, dr. Rugova diti që të mbajë këtë busull, të orientojë qytetarët e vendit në procese të vështira. Ne jemi gjithmonë mirënjohës për këtë rol që ka pasur. Them gjithmonë se pikërisht me këtë ditë të rëndësishme, duke pasur parasysh edhe trashëgiminë e mirë të rezistencës së mëhershme, Kosova arriti që të hyjë në trendet dinamike të zhvillimeve, të rezistencës në radhë të parë dhe të vënies së gurthemeleve të shtetit të Kosovës.

Është bërë një punë shumë e madhe e të gjithë njerëzve të Kosovës për të ndërtuar atë që ne e kemi quajtur shtet funksional paralel i shqiptarëve, i njerëzve që e rezistonin atë projekt të zhbërjes totale sonës dhe të zhbërjes së Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, ishte një zhvillim i peshës së veçantë, sepse ishte i akceptuar për të gjithë qytetarët e vendit, pavarësisht moshës.

Dëshiroj të them edhe një herë atë që Presidenti Rugova e thoshte gjithmonë, se në atë kohë lindi dhe u rrit edhe brezi i Republikës, njerëzit që sot do të marrin, në proces e sipër, barrën e udhëheqjes së vendit, pavarësisht se në cilin formacion politik ata mund të jenë. Ishte kjo një vlerë e veçantë dhe një diçka plus është se me këtë moment të rëndësishëm u kultivua edhe diçka që ishte përgjigje e mirë për kahet që ne zhvillonim - të pluralizmit politik. Ajo që pas LDK-së do të formohen edhe partitë e tjera. Edhe pse jeta zhvillohej në atë hapësirë shumë të ngjeshur të presioneve, njerëzit megjithatë donin të shtronin projektet e tyre, tha Presidenti Fatmir Sejdiu.