Sejdiu: Prania civile e BE-së do të luajë një rol të rëndësishëm në avancimin e rendit ligjor në Kosovë

Presidenti i Kosovës Dr. Fatmir Sejdiu priti sot Kryesuesin e Ekipit Planifikues të Bashkimit Evropian për Kosovë, z. Rey Reeve.

Në këtë takim u bisedua për rrjedhën e procesit përgatitor të vendosjes së misionit civil të BE-së në fushën e sigurisë dhe të rendit ligjor në Kosovë.

 “E mira është që Zyra e Ekipit Planifikues të BE-së në Kosovë po bën gjithë përgatitjet e nevojshme për të pasur një tranzicion sa më të lehtë në vendosjen e misionit të sigurisë në Kosovë”, theksoi z. Reeve.

Ndërsa, Presidenti i Kosovës theksoi edhe një herë mbështetjen e tij për vendosjen e këtij misioni.

“Prania civile e Bashkimit Evropian do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejmë të rendit ligjor në Kosovën e pas statusit dhe në përmirësimin e kualitetit të jetës për gjithë qytetarët e saj”, theksoi Presidenti Sejdiu.