Sejdiu: Po i kthehemi fuqishëm identitetit të hershëm

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mbajti ligjëratën vjetore para studentëve të Universitetit të Prishtinës, në amfiteatrin e Fakultetit Juridik, më temë “Kosova, zhvillimet aktuale, sfidat dhe perspektiva”. Në vijim, po e japim në tërësi transkriptin e kësaj ligjërate:

Të nderuar studentë,

Jam këtu që të bëjmë një bisedë më tepër shpjeguese për sfidat nëpër të cilat po kalon vendi ynë, edhe për prezantimin e vizionit tonë se kah duhet të ecim më tej, por edhe për dëgjimin e shikimeve tuaja për çështjet që eventualisht mund të shkojnë edhe më mirë.

Është dëshirë e përbashkët e të gjithëve që të kontribuojmë secili në rolin e vet që Kosova si shtet më i ri në rruzullin tokësor të gjejë shtigjet më të mira të zhvillimit të saj.

Kam patur rastin që të jem në këtë amfiteatër dhe në amfiteatro të tjera të Universitetit të Prishtinës, por edhe të universiteteve të tjera para kohës së pavarësisë së vendit për të biseduar për zhvillimet e atëhershme, për shanset e mëdha që patëm, por edhe për pengesat që kishim para vetes.

Natyrisht, më kujtohen mirë bisedat me kolegët tuaj se cilat kanë qenë pjesët më të ndjeshme të shprehura si shqetësime të secilit prej jush, por edhe shqetësimi përbashkët i vendit. Po ashtu, në prognozën e mirë që kemi prezantuar se Kosova do të jetë e pavarur, se Kosova ka bërë punë të mira për të gëzuar statusin e vendit të lirë, se Kosova ka pasë një qasje dhe një politikë të mbarë të udhëhequr të përgjithshme të  saj, se Kosova ka bërë një rezistencë të fuqishme në periudha të gjata kohore, se Kosova ka siguruar një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare për të qenë e lirë.

Sot, e kam më lehtë që të bisedojmë për ecjet e tashme, por edhe për elemente që janë pjesë e vështirësive të cilat i ndjen një vend në lindjen e tij.
Ato janë kushtimisht normale, sepse përballjet me ato që kemi para vetes janë të mëdha, prej asaj që quhet realizimi i projeksionit politik të përgjithshëm, të prezantuar para qytetarëve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare, si vizion i qartë se ka duhet të lëvizë Kosova, e deri te pjesa tjetër e përballjes me vështirësitë zhvillimore të brendshme, por edhe nga vështirësitë e tjera që na dalin në rrugë nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, nga ata që dëshiruan zhbërjen totale të qenies sonë, të cilët punojnë edhe kësaj dite, por nuk u frikohemi.

Këto çështje i gjejmë në gamën e përgjithshme të kësaj materieje, me të cilën përballet Kosova sot.

E para, Kosova, si formulë dhe realitet, dhe si mbështetje ndërkombëtare e miqve konsekuentë të saj, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, është kallëzimi më i mirë që i thyen të gjitha prognozat e këqija se kinse pas pavarësisë së vendit, pra pas asaj që ndodhi më 17 shkurt 2008, do të jetë vendi i kaosit, vendi i shkeljes së të drejtave të njeriut dhe i të drejtave dhe lirive etnike, vendi i egzodit, i përmbysjes dhe i anarkisë totale, do të jetë vendi i kontrabandës, do të jetë vend i faqeve të zeza, siç thotë populli, pra prognozat e armiqve të vendit tonë nuk ndodhën asnjë nga to.

Pse nuk ndodhën? Në radhë të parë duke e falënderuar rolin tepër të rëndësishëm të secilit individ të Kosovës, në radhë të parë të shumicës, të pjesëtarëve të popullsisë shqiptare, që e kanë pritë, them në metaforë, me shekuj këtë ditë, dhe në radhë të dytë të gjitha etnive të tjera me përjashtim të një pjesë të serbëve, të cilët hezitojnë sot e kësaj dite, por të gjitha të tjerat kanë qenë në proces të përbashkët për të krijuar imazhin e përbashkët final të një Kosove, e cila realizon vullnetin e shumicës së popullsisë së saj, por realizon, në të njëjtën kohë, dëshirën paralele të etnive të tjera që jetojnë me të.

Ju kujtohen bisedat jo të lehta që kemi pasë për projektin Ahtisaari, për vizionin dhe çmimin që duhet të paguajë Kosova në disa aspekte të ndërtimit struktural të pushtetit të saj, flas në radhë të parë të pushtetit lokal, procesi i decentralizimit dhe të tjera, që e quajmë gjithmonë çmim i paguar dhe pjesa tjetër që ne e quajmë ecje paralele në përmbushjen e kritereve më të rëndësishme për integrimet euro-atlantike.

Në këtë kuadër, nuk ka dilemë, nuk e bëjmë se bashkësia ndërkombëtare na beson se ecim në këtë rrugë, por se është interes i Kosovës, të lëvizë shpejt në përmbushjen e kritereve themelore në radhë të parë të mirëqenies jetësore të qytetarëve të saj, duke filluar nga realizimin e mirë në standarde të drejtave dhe të lirive njerëzore, të pozicionit të minoriteteve brenda vendit dhe të pjesës tjetër të zhvillimit paralel të pjesës, që ne e quajmë shoqëri civile, e cila është pjesë integrale e jetës së përgjithshme e qytetarëve të vendit. E quajmë, po ashtu, normale, se është vizion që me këto vlera të ecim në proceset e integrimeve dhe në NATO, për arsye se, paralelisht, Kosova ka shkuar nga viti 1999 e këtej në përmbushjen e kritereve të përgjithshme elementare.
Ju kujtohet koha e standardeve; standardet para statusit, standardet me statusin, që ishte kohë të cilën ne nganjëherë e quanim nevojë e blerjes së kohës për pamundësinë e gjetjes së formulës së drejtpërdrejtë se cila do të jetë Kosova, e pavarur gjithmonë në mendjen tonë, pra si të shkurtohet ajo rrugë, por një kohë mezopushim, dhe në pjesën e kësaj që tash e kemi vizion i qartë.

Në këtë kuadër, natyrisht se ka shumë çështje dhe obligime që dalin para institucioneve, para të gjitha pushteteve dhe para qytetarëve të vendit.
A është Raporti i Progresit, i fundit, për Kosovën garanci dhe kritikë paralele për disa punë që mund t’i bëjmë më mirë? Unë them po! E shikojmë në objektivitet pjesën e asaj që s’kemi mundur ta realizojmë si duhet, pjesën e saj që s’kemi mundur t’i dalim në ballë në mënyrën më efiçente të mundshme ndaj fenomeneve që mund të jenë si pjesë e  dhembjes përcjellëse dhe e vendeve në tranzicion, por edhe të vendeve të porsalindura.
Kosova e ka edhe njërën dhe tjetrën dhe që është ndoshta edhe pjesë e ambicieve të dikujt që nganjëherë dëshiron të dalë jashtë pjesës së interesit të përgjithshëm nacional, flas shtetëror, dhe të ngopet me realizimin e interesave vetanake të një forme apo të një forme tjetër.

Prandaj e shikojmë edhe pjesën e raportit në pikat e vrojtimit kritik në objektivitetin e vet, mos t’i mbyllim sytë se nuk ka ndodhë edhe diçka që s’na pëlqen dhe paralelisht si pjesë e kurajës në kuadrin nxitës, që Kosova të lëvizë më shpejt në drejtim të dhënies së sinjaleve pak më të qarta, por do të nevojitet edhe më tepër për proceset paraprake të liberalizimit, për proceset e tjera që lidhen me kushtet themelore të një vendi për të qenë kandidat në proceset integruese siç bëhen gati disa nga vendet e tjera të Evropës Juglindore.

Cilat janë përparësitë dhe cilat janë mangësitë në këtë kuadër?
Përparësi kemi se Kosova të gjithë strukturën e saj legjislative, gjithë strukturën e ndërtimit të saj institucionale, dhe pjesën e standardeve elementare themelore i ka të bazuara në  ndërtim me standardet evropiane.
Kosova nuk ka nevojë të revidojë dhe të kthehet në revidimin e legjislacionit të saj, të Kushtetutës, aktin më të lartë të vendit dhe të pjesëve të tjera të gjithë korpusit legjislativ, sikur që kanë bërë disa nga vendet e tjera.
Kosova nuk ka nevojë të rifillojë, sepse ne jemi po e quajmë në vonesë kohe, por në start të mirë, në ndërtimin e mekanizmave të tjerë, të cilët janë adapt sikur që janë të vendeve të tjera, në një simbiozë të përbashkët të ideve që po e quaj i kemi shkri me idetë e njerëzve që kanë qenë në mbështetje të Kosovës.

Kosova nuk ka nevojë për pjesën e rrugës se si do të dukej ndryshe nga ajo që është, rrugë që e kanë kapërcyer vendet e tjera të Evropës Juglindore për të shpejtuar drejt proceseve të integrimeve, dhe Kosova paralelisht me këto ka demonstruar që me fillimin e saj, qasjen për të qenë partner i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin.
Po e marrim Forcën e Sigurisë së vendit, ju i dini proceset e transformimit, kriteret e ndërtimit të FSK-së janë kritere që janë në mënyrën më strikte të kontrolluara dhe të ndërtuar mbi ato që parime që është ndërtuar NATO-ja.
Them gjithmonë se NATO-ja është në Kosovë dhe Kosova do të jetë në NATO. Dhe, është me rëndësi të themi se ne po i kthehemi fuqishëm, me gjithë vështirësitë tona, identitetit të hershëm.

Para pak ditësh është lansuar fushata mediale, Evropianët e Ri, për prezantimin e imazhit të Kosovës edhe në kuptimin politik, edhe në kuptimin e shansës së zhvillimit ekonomik, kulturor etj.
Isha në atë manifestim dhe ju thashë se ju jeni evropianët e ri të një Evrope të vjetër sepse jemi në fondamentin e lashtësisë së saj, e themi gjithmonë se ka vende edhe më të mëdha dhe më të vogla se Kosova, por ka vetëm një Kosovë me histori të moçme që nuk mund ta harrojë zhvillim dhe gjenezën e saj.

Kosova është e orientuar mbarë në shpalosjen e identitetit të saj, në respektimin e parimeve më të rëndësishme që ju i gjeni në parimet e drejtësisë, në të Drejtën Romake, në atë që mund ta quajmë edhe “Ad persona” apo “Në person”, “Honeste vi vere”, që do të thotë “Të rrosh me nder” dhe “Askujt mos i bëni dëm”, por secili ta marrë atë që i takon dhe Kosova ka marrë atë që i takon dhe sot është shtet i pavarur.
Pjesa e dytë e rëndësishme, që është tepër në fundament për ekzistencën e një shteti, është mirëqenia ekonomike e vendit. A kemi bërë mjaft, a mund të bëjmë më shumë? Them se po! Është bërë punë, ka një shkallë të rritjes progresive, nëse e marrim me statistika prej 4 deri në 6 %, varësisht prej viteve. Parvjet ka qenë më pak, vitin e kaluar më shumë, shohim sivjet se si do të jetë. Nuk është e mjaftueshme. Pse s’është e mjaftueshme, s’është sepse e kemi pjesën tjetër të shancës paralele, që i ka dhënë Zoti Kosovës dhe duhet ta shfrytëzojmë.

Rrallë ka ndonjë vend në Evropën Juglindore dhe në pjesë të tjera që ka kaq shumë pasuri natyrore të koncentruara në një hapësirë 10 mijë kilometra katror sa i ka Kosova. Edhe me bazenet e mineraleve, edhe me bazenet e lignitit, edhe me tokën pjellore, edhe me mundësitë klimatike, edhe me shancën e vet të madhe, 52% e popullsisë nën 27 vjet, po kjo është pasuri që s’e kanë të tjerët. Dhe, këtu i kemi paradokset, e kemi paradoksin problemin energjetik të vendit tash e dhjetë vjet. Investime të mëdha janë bërë, kemi mungesë rryme, kemi interesime të veçanta që të dilet nga ajo situatë që Kosova të mos jetë akceptor dhe importues i energjisë elektrike nga të tjerët dhe sa herë t’u teket me e ndalë butonin, por të jetë eksportues.
Por, edhe problemi tjetër që lidhet me problemet globale; a do të ketë mundësinë dhe shancën që Kosova vetëm përmes termoenergjisë të zgjedhë problemin e saj të energjisë, që lidhet me financimin do të thosha të gjithë kapaciteteve e tjera ekonomike të vendit apo duhet të orientohet edhe diku tjetër.

Nxehja globale është problem. E di se ka vërejtje, i kam lexuar dhe i kam përcjellë, edhe të shoqërisë civile, edhe të institucioneve të tjera të rëndësishme që merren me problemet e energjetikës. Por, po ashtu, edhe të miqve të Kosovës, që kanë qenë të orientuar në bazament për të ndihmuar shpejt për të dalë nga kjo situatë. Unë mendoj se, megjithatë, është gjetur një shanc dhe Kosova do të prodhojë në radhë të parë për vetveten me ndërtimin e kapaciteteve të reja, duke u dhënë shancën investimeve edhe në qasje të tjera paralele për aq sa do të jetë e mundshme, duke dhënë shancën e veçantë në joshje dhe në nxitje sikur me atë evropianët e ri që është vetëm një element simbolik në ndërtimin apo sigurimin me garancive të fuqishme qeveritare për investues.

Kur vijnë investuesit në Kosovë, ka interesim edhe sa dhe si mund të qëndrojnë në Kosovë? Kur kanë partneritetin serioz tonin, stabilitetin e përgjithshëm që është në vendin tonë, por që duan ende të sigurohen, garën fer, e cila u mundëson depërtimin më të mirë të merituarve, jo të pjesës së hiles, mbase dikush mund të dëshirojë të bëjë asisoj dhe kur e kanë garancën e plasmanit afatgjatë të asaj që duan ta prodhojnë apo duan ta investojnë dhe kjo lidhet edhe me investuesit e jashtëm dhe me pjesën e diasporës shqiptare, apo diasporës së Kosovës, që është e shumtë në vende të ndryshme, dhe kjo lidhet po ashtu me atë se cilët janë damarët më të rëndësishëm, që mund të jenë shërbyes për plasman në radhë të parë në rajon.

Nuk kemi të bëjmë vetëm me hapësirën e Kosovës, trendet ekonomike janë që të kapërcehet edhe në pjesën e zhvillimit rajonal, që dëshiron klimën e përshtatshme edhe politike edhe stabilitetin e përgjithshëm dhe prej kësaj, plus dëshminë e ecjes në një treg më të gjerë. Çka ka këtu paralele, që e gjejmë? Ka probleme, s’dua të flas për embargon që i bëhet Kosovës ne eksportimin e mallrave të veta nga kundërshtarët e pavarësisë së saj, nga Serbia dhe aleatët e saj, dikund-dikund tjetër, që thyejnë edhe kriteret e CEFT-ës, por ka edhe diçka që arrihet siguria psikologjike e njerëzve, që duan të investojnë se Kosova është shanc që duhet të shfrytëzohet.

Pjesa tjetër që është tepër e rëndësishme, ecja e mëtejshme e Kosovës në zhvillimet politike, ndërkombëtare, është suksese i madh qenia e saj në Fondin Monetar dhe në Bankën Botërore dhe që Kosovën e bënë partner të rëndësishëm të bashkëpunimit dhe faktor,  sepse mos harroni se në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar nuk mund të jenë vendet që nuk janë sovrane, pra një shtet që është sovran. Kemi paralel përpjekjen që të pengohen njohjet e mëtejshme, kemi kërkesën e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, që starton me një dhjetor, dëshmitë e reja, kemi mbështetjen e fuqishme që i jepet Kosovës, kemi edhe përballjet në një vrap tepër të madh në planin gjeopolitik të kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës për të penguar edhe në punë të tjera.

Para pak ditësh, ju e keni parë dhe e keni përcjellë, Presidenti i Federatës Ruse ishte në Beograd, nga ajo çfarë dimë se çfarë garancish u ka dhënë Serbisë në relacion me mbështetjen që duhet t’ia japin në relacion me Kosovën. Për Federatën Ruse, Kosova nuk është temë, për Federatën Ruse Kosova mund të jetë vetëm një shkas i konfrontim të saj apo i përballjes së saj të vazhdueshme me miqtë e Kosovës, me Perëndimin, me Evropën, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse nuk e ka hallin se si do të jetë statusi i saj, por dëshiron ta mbajë një temë hapur në vazhdimësi. E dimë se përflitet për krijimin e një baze të re paralele të forcave të Federatës Ruse apo të Serbisë vetë, në afërsi, jo larg Kosovës, në Nish, për të qenë pandan, sipas tyre i NATO-së, në Kosovë, për të krijuar imazhin e interesimit të veçantë si zonë apo hapësirë gjeostrategjike dhe gjeopolitike e ndikesës për rajonin dhe për të thënë që ne jemi këtu, në vend dhe hapësirë territoriale dhe integrale dhe ka ndodhë që dikush ua ka prishë hesapet, sikur rasti i Kosovës.

Ju e dini se Kosova është sui generis me gjithë ecjen e saj dhe nuk ka kthim mbrapa dhe s’ka fuqi që mund ta kthejë rrotën e historisë pas. Këtë e kemi thënë dhe e themi. Deri më tani kemi 62 njohje, në krejt skajet e dynjasë. Ministri i Jashtëm serb dhe pajtimtarë të Serbisë, përpiqen për të penguar njohjet e mëtejshme, nuk do t’ia arrijnë. Ka vende që duan me e pritë procesin derisa të kapërcejnë edhe shqyrtimet në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, presim mund të jetë një alibi i vockël, mbase edhe si qasje diplomatike e tyre për të mos prishur miqësitë e hershme, për të mos prishur edhe raportet apo marrëveshjet ndërkombëtare, ekonomike, tregtare dhe ushtarake. Dhe, për të gjetur një moment që ka ardhur koha që një realitet që ekziston të njihet, ka vende që nganjëherë mund ta çmojnë padrejtësisht strukturën e brendshëm e të vendit të tyre si pjesë, me Kosovën si precedent dhe shprehin shqetësimet që është e padrejtë, sepse Kosova dallon.

Ju keni qenë të rinj, por kolegët tuaj më të vjetër, por edhe ju keni mësuar shumë, Kosova ka qenë dhe mbetet në krejt ecjet e saj diçka tjetër nga ajo çka ata pretendojnë ta shprehin si shqetësim të tyre. Ka qenë  pjesë e një federatë që është shpërbërë, pjesë e barabartë në të gjithë nivelet e vendimmarrjes dhe në drejtën e vetos, me një histori të veçantë, asnjëherë me vullnet të saj pjesë e dikujt tjetër. Ka qenë intervenim ndërkombëtar humanitar për të shpëtuar popullin e Kosovës prej gjenocidit, ka qenë një investim ndërkombëtar i suksesshëm pavarësisht gjakëftohësinë e dhjetë vjetëve të deritashme për të nxjerrë institucione të vullnetit të qytetarëve dhe ato ekzistojnë, janë bërë procese ndërkombëtare të bisedimeve apo negociatave dhe jemi ku jemi. Prandaj, nuk mund të ketë ngjashmëri sigurisht se ka nevojë të bëjmë punë edhe më tepër edhe institucionet e vendit edhe mbështetësit tanë. Ju e dini se kemi shkuar me mbështetje apo me ndërtim të strukturës diplomatike, deri tash në 20 ambasada. Para dy ditësh kam dekretuar edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, para pak ditësh në Maqedoni dhe do të zhvillohemi edhe më tej me një rrjet modest, për aq sa do të jenë kapacitet tona, por kemi edhe idenë e bashkëpunimit me vendet të caktuara që të mbulohemi reciprokisht në hapësira të caktuara që janë të interesit, por që nuk janë të mundësisë po e quajmë ekonomike në radhë të parë, për të mbuluar me potenciale gjithë atë hapësirë. Por, interesi ynë është që në pikat kryesore strategjike të jetë dhe në këtë kuadër natyrisht se do të vazhdojmë më tej. Ka pjesë të tjera që janë të interesit të veçantë të investimit, e përmenda më herët Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Policinë e Kosovës, si faktor jo të kërcënimit, jo të frikës, jo të ndërtimit të Kosovës në diçka që mund të rrjedhë heshtazi dhe pa vullnet në një strukturë tjetër shtetërore. Para pak ditësh isha në Policinë e Kosovës dhe u thashë s’është interesi i Kosovës, asnjëherë të ndërtoj shtet policor apo të ndërtoj polici politike. Është interesi të ndërtojmë një strukturë të shërbimit të sigurisë së Kosovës, që ka të bëjë me të gjithë mekanizmat e sigurisë, e cila në radhë të parë lidhet në vullnetin e qytetarëve të saj, e cila me veprimtarinë e saj do të mbështet ecjen dhe lëvizjen e saj sikur strukturat adapte të vendeve të tjera të demokracisë, prandaj këto do të zhvillohen mbi këtë bazë.
Dhe e fundit që dua t’jua them; një proces që kemi para vetes, janë zgjedhjet lokale të nëntorit. Ju lus të gjithëve, dhe gjithë njerëzve që ju i njihni, dilni në votime, votoni ata që ju dëshironi t’i votoni. Procesi është një sprovë e madhe për Kosovën, është një dëshmi për herë të parë që menaxhohet nga institucionet e vendit tonë. Njerëzit duhet të dalin dhe të japin votën e tyre, për njërin, të dytin, të tretin apo të katërtin. Është zgjedhje e tyre. Njerëzit duhet të dalin për të përmbushur një të drejtë të tyre Kushtetuese për të qenë kreator i asaj që mund të quhet politikë e përgjithshme e dhënies së besimit dikujt. Edhe pse është nivel lokal, unë them se është sprovë e madhe për Kosovën, prandaj fushatën e keni përcjellë, mendoj se në kornizat e përgjithshme është një fushatë që përmban kriteret themelore që lidhen me strukturën apo me ligjin, me kodin e mirësjelljes. Por, uroj po ashtu që dita e 16 nëntorit sikur 15 të jetë festë dhe ceremoni, 16 të jetë ditë e gëzimit për qytetarët e Kosovës në vlerësimet më të mira, në mbajtjen e asaj që kemi pasur në ciklet e mëhershme, sidomos në katër ciklet e mëhershme, kur janë shpallur zgjedhjet më të mira të Evropës Juglindore. Pse mos ta mbajmë këtë epitet?! Kemi fuqi politike, kemi kulturë politike, kemi vullnetin, kemi sprovën...

Ju faleminderit!