Sejdiu: Pavarësia e Kosovës sjell paqe dhe stabilitet në rajon

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, vizitoi sot shkollën “Selman Riza” të Fushë-Kosovës, ku u prit me ovacione nga nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët e këtij mjedisi.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti Sejdiu tha se pavarësia e Kosovës sjell paqe dhe stabilitet në rajon, ndërsa institucionet e Kosovës do të bëjnë çmos që të krijojnë kushte edhe më të mira për mësim për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e Kosovës.

Përveç stafit të kësaj shkolle, Presidentin Sejdiu e pritën edhe kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha dhe udhëheqësit e tjerë të këtij qyteti.

Presidenti Sejdiu, me këtë rast, i dhuroi kësaj shkolle kompletin e veprave të dr. Ibrahim Rugovës, të botuar nga ShB “Faik Konica” e Prishtinës.

Në të kthyer nga Fushë-Kosova, Presidenti Sejdiu, me bashkëpunëtorët e tij, bëri një vizitë spontane në mjediset e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ku, para Obeliskut të Pavarësisë, bashkë edhe me qytetarë të shumtë, piu kafe dhe shkëmbeu urime për lindjen e shtetit më të ri në botë – Republikës së Kosovës.