Sejdiu: Parteshi - rrëfim i përbashkët i suksesit në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë sot në mbledhjen inauguruese të Asamblesë Komunale të komunës së re të Parteshit.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti Sejdiu rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të institucioneve të Kosovës për të gjithë qytetarët e vendit.“Është kënaqësi e imja e veçantë të jem me ju, të përcjell mbështetjen e institucioneve të Kosovës, mbështetjen e vullnetit të gjithë qytetarëve për punën dhe përkushtimin e thellë që ju qytetarët e komunës së re të Parteshit e keni bërë dhe po e bëni për perspektivën e përbashkët për të gjithë njerëzit”, tha Presidenti Sejdiu.

Komunën e re të Parteshit, Presidenti Sejdiu e sheh së rrëfim të përbashkët të suksesit në Kosovë, por edhe si sukses të madh të të gjithë qytetarëve të vendit.
“Ky moment është moment historik, sepse është një nismë e mbarë e realizimit të vullnetit të mirë të të gjithë njerëzve, pra edhe të qytetarëve të kësaj komune, për të qenë përgjegjës për punët e mëdha që do t’i kryeni në dobi të qytetarëve, për punë të mëdha që do të kryeni në ecje të suksesshme bashkë me komunat e tjera të Kosovës, për punët e mëdha që do të kryeni në kuadër të përmbushjes së të gjitha objektivave, edhe në mozaikun e përbashkët të pushtetit lokal për të lëvizur si vend drejt integrimeve tona”, vijoi Sejdiu.
Parteshi ishte rrëfim i suksesit të mirë, i punës së madhe dhe interesimit të veçantë që treguan qytetarët e kësaj komune, që në fillim, që në shpalljen e zgjedhjeve, ku edhe pjesëmarrja e qytetarëve ishte e kënaqshme në të dy ciklet e zgjedhjeve.

“Kemi përcjellë me vëmendje të thellë gjithë procesin zgjedhor që keni pasur në këtë komunë. Momentin kur kam marrë vendim për të dekretuar ditën e zgjedhjeve, kam qenë shumë i bindur se të gjithë ju do të jeni shembulli më i mirë në realizim praktik të idesë për qeverisje të mirë, të idesë për zgjedhje të mira, të idesë për përmbushje të asaj që ne e quajmë proceset më të mira demokratike zgjedhore. Në të dy ciklet, në radhë të parë për asamblistë dhe kryetar komune dhe në radhë të dytë në balotazh, e keni bërë me mençuri, me një pjesëmarrje të shkëlqyeshme të qytetarëve në zgjedhje me mbi 65 %, që është dëshmia më e mirë se ju dini dhe mundeni të bëni punë të mëdha. Këtë kuotë të lartë të pjesëmarrjes në zgjedhje, ju them lirshëm, se e kanë lakmi edhe shumë vende që janë me demokraci të avancuar. Në Evropë sot, por edhe në pjesë të tjera, ende ka probleme për pjesëmarrje aktive të madhe të qytetarëve në proceset zgjedhore. Me këtë që keni bërë, ju i jeni bashkangjitur idesë dhe vullnetit për të dëshmuar përgjegjësi të thella”, shtoi Presidenti Sejdiu.

“Është borxh i institucioneve të Republikës, në radhë të parë i Ministrisë së Pushtetit Lokal, po edhe gjithë të tjerëve, që të jenë në mbështetje të fuqishme në projekte të shumta që ju keni, në projektet që keni prezantuar para qytetarëve. Ato projekte mbesin obligim para qytetarëve tuaj, para qytetarëve të Kosovës dhe do t’i realizoni. Jam i nderuar që të shpalli të hapur punimet e kësaj seance inauguruese për punën dhe suksesin e juaj”, tha Presidenti Sejdiu.