Sejdiu: Miratimi i Rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një moment i ri dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën

“Miratimi i Rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është një moment i ri dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën, me të cilin përmbyllet cikli i të gjitha përpjekjeve të Serbisë, por edhe të tjerëve që kanë hezituar për të pasur procese më dinamike në kuptimin e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe me këtë evoluohet në mënyrën më të mirë mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu, sot në një konferencë shtypi, pas kthimit nga Nju-Jorku, ku Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë të paraqitur nga Serbia, në koordinim me vendet e Bashkimit Evropian.

Më tej, Presidenti Sejdiu tha se Asambleja e Përgjithësime, jo vetëm që merr në dijeni, por thjesht e pranon si rezultat valid në kuptimin e dhënies së përkrahjes dhe më këtë rast mbyllet gjithçka që ka të bëjë me ecejaket e tjera që lidhet me statusin e Kosovës te ata të cilët kanë pasur iluzione të ndryshme.

Në tekstin e Rezolutës, vijoi Presidenti Sejdiu, është edhe ftesa për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova asnjëherë nuk ka hezituar të bisedojë për tema të rëndësishme të interesit të qytetarëve të dy vendeve sovrane dhe natyrisht do të bashkëpunojë”, tha ai.

Ndër temat që mund të jenë pjesë e objektivit të institucioneve të Kosovës, Presidenti Sejdiu përmendi temën e lëvizjes së lirë të qytetarëve, çështjet e parandalimit të krimit të organizuar, çështjen e kthimit, personave të pagjetur, çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimeve regjionale, por edhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimet ndërmjet vendeve, por gjithmonë në nivel të  shteteve sovrane dhe asnjëherë në nivel tjetër.
 
Duke folur për takimet në Nju-Jork, Presidenti Sejdiu përmendi takimet që delegacioni i Kosovës zhvilloi me përfaqësues të vendeve anëtare të Ligës Arabe, me përfaqësues të vendeve të Caricomit si dhe një takim mjaft premtues me përfaqësues të tjerë të vendeve të Konferencës Islamike.

Presidentit Sejdiu tha se në të gjitha këto takime është biseduar për çështjen e njohjeve së pavarësisë së Kosovës, dhe shprehu besimin e tij se do të vijë një cikël i natyrshëm i rrjedhës pozitive të njohjeve, dhe se mbetet në vendet sovrane që të vendosin se cili do të jetë momenti i njohjes, gjë që është çështje e vendimeve të secilit vend veç e veç, por mund të pasojnë edhe vendime të përbashkëta në kuadër të koordinimit të tyre.

Në këtë konferencë shtypi, Presidenti Sejdiu përkujtoi edhe nëntëvjetorin e sulmeve terroriste në SHBA.

“Sot është 11 shtatori dhe në këtë rast në emër të popullit të Kosovës dhe në emër të institucioneve të vendit dua të shpreh solidaritetin e popullit të Kosovës me popullin amerikan për kohën dhe momentin që kanë përjetuar në ditën e 11 shtatorit të 2001-shit, dhe natyrisht një solidarizim me familjet e viktimave. Prandaj, këto momente natyrisht jemi gjithmonë pranë në kuptimin e përcaktimit të dinjitetshëm të afrisë dhe të dhembjes sonë me të gjithë këta njerëz dhe një shprehje të falënderimit të thellë më atë që Shtetet e Bashkuar të Amerikës kanë bërë për Kosovën”, tha Presidenti Sejdiu.

I pyetur nëse duhet pasur frikë se i është premtuar Serbisë diçka me shumë në mënyrë që të heqë dorë nga rezoluta e parë e paraqitur prej saj, Presidenti Sejdiu u përgjigj: “Jo, nuk ka asnjë premtim dhe mos të mbetet askush në idenë apo spekulimet se mund të ketë diçka tjetër që lidhet me atë që nuk është publikuar realisht. Ajo që është biseduar sepse kemi pasur një takim shumë përmbajtjesor me përfaqësues të vendeve të Kuint-it, sikur që kemi pasur edhe këtu në Prishtinë, atje me ambasadorët apo përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jemi marrë bashkë në analizë të thellë të tërë asaj që ka ndodhur deri në momentin e kohës kur është paraqitur rezoluta e re, sepse kishte ide se nuk do të pranohej si tekst, dhe lufta jonë e përbashkët ka qenë se si të bëhen numrat, dhe besoj se ka pas garanci të plotë dhe Serbia e ka ditur shumë mirë se do të mundet në Asamblenë e Përgjithshme dhe në atë rast është tërhequr dokumenti si i tillë. Unë them se ajo që është esenciale gjithmonë se asnjëherë nuk do të ketë bisedime për çështjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të vendit, për çështjen e integritetit të vendit, për çështje të rregullimit të brendshëm të Kosovës, por do të jenë këto tema që janë në interes të bashkëpunimeve”.

Ndërsa, duke u përgjigjur në disa pyetje në lidhje me veriun e Mitrovicës, nëse mund të bëhet fjalë për një status speciale të kësaj pjese, Presidenti Sejdiu tha se një zgjidhje e tillë nuk është e pranueshme për institucionet e Kosovës, të cilat e kanë thënë fjalën e tyre dhe dihet qëndrimi ynë shumë i qartë.

Ai gjithashtu se ai përket çështjes së veriut të vendit nuk do të ketë devijim nga realizimi i Pakos së Ahtisaarit. Qëndrimi i institucioneve të Kosovës – tha ai - është të realizohet Pakoja e Ahtisaarit, të investohet shumë sikur edhe në pjesët e tjera, por të investohet shumë në projekt të përbashkët natyrisht në bashkëpunim edhe me prezencën ndërkombëtare edhe në kuptimin e zhvillimit  ekonomik. Në ndjenjën tonë asnjëherë nuk ka mbetur pas por kanë qenë rrethanat objektive deri tash që kanë lënë një trashëgimi të vështirësive që janë prezente, por për ne është më rëndësi që të ketë një qasje siç edhe është bërë kohët e fundit me ndarjen e milionave eurove për projekte të caktuara, por natyrisht edhe të bëhen veprime të koordinuara politike me bashkësinë ndërkombëtare, por të bëhen punë po ashtu në vënien në efiçencë të sundimit të ligjit.

I pyetur ndërkaq nëse do të jetë apo nuk do të jetë temë çështja e veriut në bisedimet e ardhshme, Presidenti Sejdiu u përgjigj: “Jo, absolutisht nuk do të jetë temë çështja e veriut si çështje separate,  por do të jetë çështja e aksioneve të rëndësishme që duhet të kenë institucionet e Kosovës në bashkëpunim me këtë kuadër që thashë më herët, por natyrisht ne jemi konsekuent në zbatimin e projektit të Ahtisaarit, dhe me projektin Ahtisaari është e nevojshme edhe një mbështetje e nevojshme edhe nga Republika e Serbisë”.