Sejdiu: Kushtetutshmëria dhe ligji janë alfa dhe omega e zhvillimit të Kosovës

Presidenti Sejdiu gjatë takimi të sotëm me shefin e EULEX-it, Yves de Kermabon, në të cilin u bisedua për zhvillimet e përgjithshme në vend dhe për sfidat të cilat janë përpara, tha se vizioni i përbashkët është që Kosova të shpejtojë hapat e saj në proceset e integrimeve drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ai gjithashtu shtoi se kushtetutshmëria dhe ligji janë alfa dhe omega e përcaktimit dhe e mbështetjes sonë për ecjet dhe zhvillimet e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.

Presidenti Sejdiu theksoi se mbështetja nga EULEX-i do të vazhdojë, në partneritet me institucionet e vendit, dhe do të ketë bashkëpunim të mirë edhe me institucionet e tjera, me KFOR-in, që është në një mandat specifik, pavarësisht procesit të reduktimeve, i cili shkon në përputhshmëri të plot me stabilitetin e vendit.

Duke folur për zhvillimet e fundit, pas “rastit Bllaca”,  Presidenti Sejdiu tha se hetimet duhet të shkojnë në rrugën e vet dhe  puna më e mirë që mund të bëhet është jashtë politikës dhe se asnjë interferencë politike nuk do të ishte e dobishme për procesin e hetimeve. Ai gjithashtu shtoi se ka nevojë të urgjencës për të pasur ndriçimin e secilit rast.

“Nuk dua të paragjykoj se a është apo nuk është e vërtetë, cili duhet të jetë rezultati, por është çështje e prokurorisë, e gjyqësorit, që në kombinimin e punës së tyre do të japin rezultatin final”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Gjithashtu, Presidenti tha se janë zotimet absolute, do të veprohet në mënyrë efikase edhe nga ana e EULEX-it, dhe  kemi nevojë që të shpejtojmë hapat në procesin e reformimit të gjyqësorit.

“Gjyqësori dhe të gjithë mekanizmat e kësaj fushe, si pjesë të pushteteve të ndara, do të jenë në efiçencë të plotë dhe në avantazhe në kuptimin e përballjes me të gjitha fenomenet, që mund t’i kemi, korrupsionin edhe krimin e organizuar, si dhe ndriçimin e veprave të kryera në periudha të caktuara kohore. Mendoj se është prehje për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, që e vërteta të dalë, në kuptimin e të vërtetës së elaboruar me argumente në mënyrën më të mirë. Besoj se kjo mbështetje sa i përket EULEX-it, prezencës dhe institucioneve që këta kanë, nuk do të mungojë”, theksoi Presidenti.

Presidenti Sejdiu dhe z. Kermabon mohuan të ketë ftohje të marrëdhënieve në mes të EULEX-it dhe institucioneve të vendit dhe vlerësuan se institucionet e Kosovës dhe EULEX-i kanë bashkëpunim të mirë dhe se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej.

Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, tha se me rastin e  përvjetorit të parë të Misionit të EULEX-it, ka ardhur për ta falënderuar Presidentin dhe popullin e Kosovës për mbështetjen që i kanë ofruar gjatë këtij viti të parë dhe qenësor të bashkëpunimit.

Siç e dini, vijoi ai, vendimi i 27 shteteve anëtare të BE-së për ta dërguar këtë mision në Kosovë dëshmon qartë përkushtimin e BE-së për integrimin evropian të Kosovës, si pjesë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se nevoja për krijimin e një sistemi funksional dhe civil të sundimit të ligjit është qenësore për Kosovën, në mënyrë që Kosova të zhvillohet si shoqëri e cila mund të përparojë në aspektin demokratik, financiar, shoqëror dhe kulturor.

“Këshilli i BE-së theksoi dje se sfidat kryesore mbesin në Kosovë. Këto sfida kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Këto janë sfidat e tona të përbashkëta, të cilat populli i Kosovës, institucionet e Kosovës dhe EULEX-i duhet të përpiqen t’i zgjedhin së bashku. Kjo nuk mund të arrihet në mënyrë të izoluar, por për ta arritur këtë lypset bashkëpunim në nivel lokal dhe rajonal, përfshirë nivelin e BE-së”, theksoi z. Kermabon.

Duke folur për të arriturat e Kosovës, që nga viti 1999 e këtej, z. Kermabon tha se Kosova që nga ajo kohë ka arritur shumë, por ndërtimi i një sistemi funksional të sundimit të ligjit nuk ndodh brenda ditës dhe nevojitet kohë për zhvillimin e procedurave gjyqësore dhe hetimeve të ndërlikuara, siç duhet kohë edhe për krijimin e një korpusi të gjyqtarëve dhe prokurorëve vendas.
Ai premtoi se EULEX-i do të jetë këtu që ta mbështesë Kosovën në përmirësimin e mëtejmë të situatës dhe se suksesi i Kosovës lidhet drejtpërdrejt me suksesin e EULEX-it dhe të BE-së.

“Kur flasim për rezultatet, unë e di se populli mund të jetë i shqetësuar, por ju mund ta keni parë sot në disa artikuj që kanë të bëjnë me rezultatet që janë arritur në drejtësi dhe e dini se, p.sh., kemi rastin e prokurorisë e cila është duke i trajtuar më shumë se 1000 raste, kemi marrë më shumë se 50 aktgjykime dhe kemi rihapur gjykatën në Mitrovicë”, theksoi Kermabon.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur një pyetje të gazetarëve për zhvillimet e fundit në fushën e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit, ai tha se kanë mbetur ende shumë çështje për t’u trajtuar. Kemi raste shumë të ndërlikuara, por ju megjithatë duhet të kuptoni se kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë, sepse kur flitet për sundimin e ligjit, flitet për drejtësinë, e drejtësia është proces shumë i ndërlikuar, proces shumë i gjatë, tha Kermabon.

“Duhet të kontrollojmë çdo hollësi, nëse synojmë një drejtësi të vërtetë, të paanshme dhe të ekuilibruar, ndërsa për ta bërë këtë, kemi nevojë të punojmë me sinqeritet dhe në mënyrë që pavarur e konfidenciale. Drejtësia nuk është proces negativ dhe mendoj se çdokush duhet ta kuptoj këtë”, theksoi ai.

Gjithashtu, në interesimin e gazetarëve për më shumë informacione për “rastin Bllaca”, shefi i EULEX-it tha se në këtë rast, edhe një herë, duhet t’i presim procedurat gjyqësore.

“Është rast shumë i ndjeshëm, të gjithë e dinë. Një mori njerëzish flasin për këtë. Por, mendoj se tani kemi të bëjmë me anën mediale të medaljes, por kemi edhe anën gjyqësore të saj. Gjyqtarët dhe prokurorët po punojnë.

Ju e dini se z. Bllaca është marrë në pyetje para një jave, se është dërguar te gjyqtari dhe se gjyqtari ka urdhëruar që ai të dërgohet në arrest shtëpiak.

Dhe ja ku jemi tani. Duhet t’i lëmë organet e drejtësisë ta bëjnë punën e tyre dhe kur të kemi ndonjë informatë, gjegjësisht kur gjyqtari apo prokurori të kenë ndonjë informatë, ne do t’ju informojmë për vendimet e tyre”, tha z.Kermabon.