Sejdiu: Kosova dhe Mali i Zi kanë perspektivë evropiane

“Republika e Kosovës është e përkushtuar në udhën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me z. Rifat Rastoder, Nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, me të cilin diskutoi për mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit në mes dy vendeve tona fqinje.

“Progresi që ka arritur Mali i Zi në përmbushjen e standardeve për integrimet euroatlantike do të shërbejë si një përvojë e mirë për vendin tonë”, vijoi Presidenti Sejdiu, i cili, me këtë rast, ritheksoi falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës për njohjen e pavarësisë së vendit tonë nga Mali i Zi, akt ky që ka krijuar rrethana të reja dhe më të favorshme për bashkëpunimin reciprok në të gjitha fushat.


“Si dy shtete fqinje dhe sovrane, Republika e Kosovës dhe Republika e Malit të Zi kanë para vetes perspektivë të qartë evropiane, meqë të dyja vendet kanë qasjen e afrimit sa më të shpejtë me institucionet dhe mekanizmat evroperëndimorë ”, pohoi Presidenti Sejdiu.
Ndërsa, z. Rastoder, duke potencuar se kjo ishte vizita e parë e një delegacioni të lartë shterëror të Malit të Zi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, theksoi se Mali i Zi mbështet fuqishëm politikën e fqinjësisë së mirë dhe të paqes në rajon.


Në këtë takim ishin të pranishëm edhe z. Fuad Nimani, Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve, z. Dragan Xhuroviç,  Ndihmësministër i Punëve të Jashtme për Punët Konzulare dhe Diasporë, z. Osman Subasiç, Ndihmësministër i Punëve të Brendshme dhe znj. Sonja Tomoviç, Këshilltare e Presidentit të Malit të Zi.