Sejdiu: Korrupsioni nuk mund të luftohet nga askush tjetër, por nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e vizitoi sot Gjykatën Supreme të Kosovës, ku u prit nga kryetari i kësaj gjykate z. Fejzullah Hasani, si dhe nga kryetari i Këshillit Gjyqësor, z.Enver Peci.

Presidenti Sejdiu gjatë kësaj vizite tha se ndjehet i kënaqur që ekipi që ka marrë mandatin për të udhëhequr gjykatat, por edhe nga fakti se gjyqtarët janë pjesë e një elite të përzgjedhur të juristëve të mirë të Kosovës, që dinë çka duan për vendin, për interesin e tij nacional dhe për lëvizjet e tij në proceset më të mira të përputhshme me sistemet bashkëkohëse të sistemit gjyqësor. Ai tha se nga vizita e tij e para një viti janë plotësuar një pjesë e punëve dhe vrojtimeve tona, siç është dekretimi i gjyqtarëve të rinj, por edhe janë shënuar lëvizje në procesin e reformave në të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe të sistemit prokuroria të vendit.

“Gjyqësori është shtyllë e veçantë e shtetit - këtë ua kam thënë edhe në Prokurorinë e Shtetit - e pavarur nga ndikesa politike, është dhe se janë të thirrur që në mënyrën më të mirë të bëjnë zgjedhjen e lëndëve mbi bazë të ligjit dhe Kushtetutës, do të jenë kreatorë, kultivues por edhe zbatues të ligjit në mënyrën më të mirë. As fenomenet e këqija, siç është korrupsioni, nuk mund të luftohen nga askush tjetër, por janë këto institucione dhe këta njerëz që duhet ta bëjnë, dhe kanë njerëz që drejtpërdrejt janë përgjegjës për zbatimin e mirë të ligjit. Natyrisht, nevojitet edhe bashkëpunimi me të gjitha institucionet e vendit, në kuptim të ndërlidhjes së sistemeve dhe një formulë që për ta ekziston gjithmonë është se elitat politike në një vend janë që shkojnë dhe vijnë në bazë të proceseve zgjedhore, por elita që udhëheq sistemin prokuroria dhe gjyqësor mbetet në mandatin e vet kushtetues”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu tha se do të angazhohet maksimalisht në institucionet e vendit, ku vendoset për buxhetet e institucioneve të vendit, që të jetë një trajtim i mirë adapt me trajtimin që bëhet edhe në vendet e tjera të rajonit.

I pyetur nga gazetarët për rastet e përfolura nëpër media për korrupsionin, Presidenti Sejdiu tha se ligji duhet të zbatohet për të gjithë, ndërsa sistemi prokurorial dhe gjyqësor duhet të bëjnë punë e tyre, që të jepet drejtësia tamam si drejtësi në zgjedhjen fundamentale në bazë të parimeve që ka drejtësia në secilin rast veç e veç.

Ndërkaq, Kryetari i Gjykatës Supreme të vendit kësaj z. Fejzullah Hasani e informoi Presidentin Sejdiu për gjendjen e gjyqësorit në përgjithësi e veçmas atë në Gjykatën Supreme pas procesit të pjesërishëm të riemërimit, si dhe për sfidat dhe rrugëtimin e institucionit të tyre drejt konsolidimit të gjyqësorit.

“Morëm konfirmimin nga Presidenti Sejdiu për mbështetjen e parezervë në rrugën tonë. Besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe po ashtu besoj se gjyqësorin do ta nxjerrim në rrugë të mbarë”, theksoi z. Fejzullahu”.

Po ashtu, Presidenti Sejdiu pati edhe një takim të zgjeruar me gjyqtarët e Gjykatës Supreme të vendit.