Sejdiu: Kemi vetëm një vizion – Kosovën demokratike dhe të integruar në BE e në NATO

05.10.2009. - “Ne nuk kemi vizion tjetër nga ai që është themelori, pra një Kosovë demokratike e të gjithë qytetarëve, një Kosovë e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë sot Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu në konferencë e përbashkët për media me kryeministrin Hashim Thaçi dhe shefin e ICO-s, z.Peter Feith, pas drekës së punës me përfaqësuesit e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën (ISG).

“Sot kemi pasur zhvillime të rëndësishme në mbështetje të Kosovës, në Prishtinë janë prezentë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën, të gjitha vendet që kanë punuar dhe e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe punojnë për zhvillimin e shpejt të Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu.


Ishte një mundësi e mirë që krahas informacioneve të hershme që i kanë dhënë të dy ministrat, Ministri i Jashtëm dhe Ministri i Pushtetit Lokal, tash bashkë me Kryeministrin dhe z.Feith si dhe Kryetarin e Parlamentit, t’i njoftojmë me zhvillimet e përgjithshme dhe të shprehim gatishmërinë tonë dhe ndjenjën tonë të bashkëpunimit me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe veçanërisht me EULEX-in, KFOR-in dhe të gjitha vendet veç e veç si dhe të shtrojmë edhe disa nga pikat themeloret të cilat mendojë se duhet të jenë në fokus të veçantë të punës dhe mbështetjes së mëtejshme, vijoi Presidenti Sejdiu.


“Kemi para vetes procesin e zgjedhjeve dhe duam mbështetje të rëndësishme edhe ndërkombëtare, janë procese që organizohen për herë të parë nga institucionet vendore dhe natyrisht na duhet një mbështetje sikur edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit”, tha ai. “Raportet që kanë të bëjnë me procesin e decentralizimit dhe formimin e komunave të reja, raportet që kanë të bëjnë me qëndrimin tonë në proceset integruese dhe kërkesën tonë që të shkohet shpejt me përgatitjen e udhëzimit apo dhënien e udhëzimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, por edhe për përgatitjen e Kosovës në proceset integruese. Ne nuk kemi vizion tjetër nga ai që është themelori, pra një Kosovë demokratike e të gjithë qytetarëve, një Kosovë e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu.