Sejdiu: Ka ardhur momenti që Greqia ta njohë Republikën e Kosovës

“Ka ardhur momenti që Greqia edhe formalisht ta njohë Republikën e Kosovës, sepse ky do të ishte një gur shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot në kabinetin e tij me z. Dimitrois Droutsas, ministër i Punëve të Jashtme i Greqisë.

Duke ritheksuar faktin se Kosova e konsideron Greqinë dhe popullin e saj si një vend mik dhe fqinj historik, Presidenti Sejdiu pohoi se Republika e Kosovës është shumë e përkushtuar që t’i thellojë edhe më tej marrëdhëniet e mira që tashmë ekzistojnë në mes dy vendeve tona.

“Greqia, që nga Antika e këtej, është një shembull model i demokracisë, duke dhënë aq shumë për kulturën dhe trashëgiminë e përbashkët jo vetëm të Evropës, po të mbarë njerëzimit”, vlerësoi Presidenti Sejdiu.

Duke folur për raportet e sotme, Presidenti Sejdiu e çmoi pjesëmarrjen e trupave ushtarake greke në kuadër të KFOR-it në misionin e ruajtjes së paprekshmërisë së Kosovës dhe lirisë së saj, si dhe kontributin e të gjithë qytetarëve të tjerë të Greqisë në misionet civile në vendin tonë.

“Republika e Kosovë, përkundër vështirësive të natyrshme që ka në fillim çdo shtet i ri, është një storie e suksesshme. Në dy vjet e gjysmë të funksionimit të saj si shtet i pavarur e sovran, Kosova është dëshmuar si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon, duke i bërë të dështojnë një nga një të gjitha parashikimet e këqija të kundërshtarëve të pavarësisë”, vijoi Presidenti Sejdiu.

“Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë tragjeditë që kemi përjetuar si popull, por jemi thellësisht të përkushtuar të punojmë për të ardhmen. Në qëndrimin tonë ndaj Serbisë ka një paradoks. Ndonëse Serbia nuk ka kërkuar asnjëherë falje për krimet e tmerrshme që ka bërë në Kosovë, ne i kemi shtrirë asaj dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit, me qëllim që si dy vende fqinje të lëvizim më shpejt drejt integrimeve euroatlantike”, tha Presidenti Sejdiu.

“Vizioni ynë i vetëm është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, duke përfshirë vetë OKB-në. Ne besojmë se pas mendimit aq të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tanimë janë hequr të gjitha dilemat që ndonjë vend mund të ketë pasur sa i përket legjitimitetit të pavarësisë së vendit tonë, që është njohur deri më sot nga 69 vende demokratike anekënd botës dhe pret që shumë shpejt të njihet edhe nga shumë vende të tjera”, vijoi Presidenti Sejdiu.

Edhe në këtë takim, Presidenti Sejdiu ritheksoi se Republika e Kosovës është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë, me të cilën është e gatshme të bisedojë për çështje praktike, të cilat janë në interes të përmirësimit të mirëqenies së jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, siç janë bashkëpunimi ekonomik e tregtar, bashkëpunimi në lëmin e energjetikës, në luftimin e krimit të organizuar etj.
Mirëpo, ritheksoi Presidenti Sejdiu, Republika e Kosovës nuk do të bisedojë kurrë me Serbinë, siç pretendon ajo, për çështjen e statusit, për integritetin e Kosovës, apo për çfarëdo forme të statusit special të ndonjë pjese të territorit të saj.

“Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë çështje të pakthyeshme dhe për tema të tilla ne nuk do të pranojmë të bisedojmë kurrë me askënd. Kosova është një rast sui generis, siç e ka cilësuar edhe Presidenti Ahtisari, s’është rast secesioni siç përpiqet ta paraqesë Serbia, por është një shtet i pavarur dhe sovran, që ka dalë nga një ish-federatë e shpërbërë pikërisht për shkak të liderëve të Serbisë, politika luftënxitëse e të cilëve ka sjellë tragjedi të mëdha në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë”, tha Presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, z. Dimitrois Droutsas, ministër i Punëve të Jashtme i Greqisë  tha se Greqia dëshiron të promovojë frymën e bashkëpunimit në rajon.

“Greqia beson fuqishëm në perspektivën e përbashkët evropiane, e cila do të krijojë paqe dhe stabilitet të përhershëm për të gjitha vendet e rajonit”, tha ministri Droustas.

Sa i përket mendimit këshillëdhënës të GJND-së, ai pohoi se Greqia i jep rëndësi të madhe këtij mendimi dhe është duke e studiuar atë me kujdes.