Sejdiu falënderon Presidentin e Hondurasit për njohjen e Republikës së Kosovës

Nju-Jork, 23 shtator 2010. – Delegacioni i Republikës së Kosovës, i prirë nga Presidenti Fatmir Sejdiu, e në kuadër të të cilit ishin edhe Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, u takua sot me Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa.

Në një takim të përzemërt, Presidenti Sejdiu e falënderoi Presidentin Sosa për vendimin e drejtë që ka marrë vendi i tij për njohjen e pavarësisë ë Republikës së Kosovës dhe theksoi përkushtimin e institucioneve të vendit tonë për vendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve diplomatike dhe zhvillimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Ai tha se beson se shembullin e Hondurasit do ta ndjekin edhe shumë shtete të tjera, tashmë që pas mendimit të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë dhe rezolutës së miratuar në OKB nuk ka asnjë arsye për të pritur për njohjen e Kosovës.

Presidenti Sejdiu theksoi se Republika e Kosovës ka si synim të sajin parësor sigurimin e numrit sa më të madh të njohjeve dhe anëtarësimin sa më të shpejtë në institucionet ndërkombëtare.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu e ftoi Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa për vizitë në Kosovë.

Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa tha se tashmë pasi vendi i tij ka marrë vendimin për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, bashkëpunimi mes dy shteteve dhe popujve tanë do të vijë duke u rritur dhe duke u zgjeruar në shumë fusha.