Sejdiu: EULEX-i të funksionojë njësoj në tërë Kosovën

“Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është shumë i qartë: procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut duhet të përfundojë shpejt, ndërsa EULEX- duhet të shtrihet dhe të funksionalizohet në tërë territorin e vendit”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi me z. Stephan Lehne, Drejtor i Përgjithshëm për Marëdhënie me Ballkanin Perëndimor, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore i Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në këtë takim, në të cilin mori pjesë edhe Përfaqësuesi Civil i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Peter Feith, Presidenti Sejdiu ritheksoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për të pasur marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje, me qëllim që sa më shpejt që të jetë e mundur edhe rajoni ynë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.

Ndërsa, z. Lehne ripohoi vendosmërinë e BE-së për ta ndihmuar edhe më tej Kosovën, si dhe për shtrirjen sa më të shpejtë të EULEX-it në tërë vendin.

“Ballkanin Perëndimor është pjesë e Evropës dhe ne jemi tërësisht të përkushtuar t’ju ndihmojmë vendeve të këtij rajoni për t’i plotësuar standardet e nevojshme për integrim të plotë në BE”, tha z. Stephan Lehne.