Sejdiu: Është koha që Sllovakia ta njohë Republikën e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti sot në takim lamtumirës shefin e deritashëm të Zyrës së Sllovakisë, z.Miroslav Nad, si dhe shefin e ri të kësaj zyre, z.Henrik Markus.

Në takim Presidenti Sejdiu e falënderoi zotin Nad për bashkëpunimin me Zyrën e Presidentit dhe institucionet e tjera të vendit gjatë kohës sa ai drejtoi Zyrën e Sllovakisë në vendin tonë.

Ai gjithashtu vlerësoi punën që z.Nad dhe njerëzit nga Sllovakia kanë bërë në Kosovë në kuadër të misioneve ndërkombëtare, posaçërisht në kuadër të KFOR-it.

Presidenti Sejdiu gjithashtu i dëshiroi mirëseardhje shefit të ri të Zyrës së Sllovakisë, z.Henrik Markus, duke i ofruar atij gjithë bashkëpunimin dhe përkrahjen gjatë punës së tij.

Duke folur për zhvillimet në Kosovë, Presidenti Sejdiu theksoi se pas shpalljes së pavarësisë, në vendin tonë është krijuar një realitet pozitiv, i kundërt me atë që e kanë parashikuar kundërshtarët e pavarësisë.

Ai e cilësoi si një moment tepër të rëndësishëm mendimin e qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Presidenti Sejdiu shtoi se pas mendimit të GJND-së është gjithçka e qartë edhe për shtetet që kanë pasur hezitime dhe kërkoi që edhe Sllovakia të lëvizë përpara dhe ta njohë Republikën e Kosovës dhe të shtojë bashkëpunimin me të në të gjitha fushat.

Z. Sejdiu vlerësoi se institucionet e Kosovës dhe të Sllovakisë kanë shumë fusha të rëndësishme bashkëpunimi, sikur edhe të qytetarët e të dy vendeve tona.

Presidenti Sejdiu theksoi se prioritet i vendit tonë është sigurimi i numrit sa më të madh të njohjeve dhe anëtarësimi në sa më shumë institucione ndërkombëtare. “Ne nuk kemi tjetër vizion pos anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO“, tha ai.