Sejdiu: Çështja e të pagjeturve – brengë e madhe për Kosovën

“Çështja e pazgjidhur e të pagjeturve është një nga brengat më të mëdha të Kosovës”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi me z. Francois Stamm, udhëheqës i operacioneve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropë dhe Amerikë Veriore.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se pa zgjidhjen e kësaj çështjeje të ndjeshme, është vështirë të arrihet pritet pajtimi qytetar. Në këtë kontekst, ai kërkoi që të bëhet çdo gjë që është e mundur për ndriçimin e fatit të secilit individ të pagjetur, sepse konzervimi i kësaj teme, siç po përpiqet të bëjë Serbia, është një njollë e keqe.

“Ne besojmë se Serbia di saktësisht për secilin person të pagjetur, por nevojitet një presion më i madh ndërkombëtar që ajo t’i japë këto të dhëna”, pohoi Presidenti Sejdiu, duke shfaqur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të mëtejmë me KNKK-në dhe me Kryqin e Kuq të Kosovës, të cilit, siç tha ai, duhet t’i ndihmohet për anëtarësim në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe në Gjysmëhënën e Kuqe, si shenjë e identitetit dhe e mëvetësisë Republikës së Kosovës.

Ndërsa, z. Francois Stamm tha se çështja e të pagjeturve i kalon kufijtë nacionalë dhe se është inkurajues fakti që tanimë kemi pasur një takim të Grupit punues të Prishtinës dhe Beogradit, që ka qenë takimi i parë në mes të ndonjë delegacioni të Serbisë dhe të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt.

“E kuptojmë se ka qenë luftë, por është me rëndësi që familjet të marrin informata për të afërmit e tyre, prandaj kemi nevojë për ndihmën dhe bashkëpunimin e të gjitha palëve”, theksoi z. Stamm.