Republika e Kosovës pret mbështetjen e vendeve të Ligës së Shteteve Arabe

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Skender Hyseni patën sot, në ndërtesën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, një prezantim para të gjithë ambasadorëve të Ligës së Shteteve Arabe në OKB. Të pranishëm ishin edhe ambasadori i Ligës Arabe dhe ai i Organizatës së Konferencës së Islamike në OKB.

“Që nga 17 shkurti 2008, kur shpalli pavarësinë e saj, Republika e Kosovës është shndërruar në një rrëfim të vërtetë suksesi, për të cilin kontribut të çmuar kanë dhënë edhe vendet tuaja”, tha Presidenti Sejdiu, në fillim të fjalimit të tij para ambasadorëve të Ligës së Shteteve Arabe.

“Republika e Kosovës është njohur nga 70 vende anekënd botës dhe ne presim që edhe vendet që përfaqësoni ju, ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë, sa më shpejt të bëjnë këtë, sepse kështu do të ndihmohej drejtpërdrejt jo vetëm e ardhmja e Kosovës, por e të gjithë rajonit tonë”, tha Presidenti Sejdiu.

Duke elaboruar arritjet e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë, Presidenti Sejdiu tha se Kosova i respekton principet më të larta të demokracisë, si dhe garanton fuqishëm të gjitha të drejtat e pakicave kombëtare, të cilat janë të integruara në jetën institucionale dhe luajnë rol të rëndësishëm në proceset pozitive në vend.

Presidenti Sejdiu ripërsëriti kërkesën që vendet e Ligës së Shteteve Arabe ta kundërshtojnë projektrezulotën që ka paraqitur Serbia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“Serbia vetë ka kërkuar mendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa tash paraqet një projektrezolutë që bie tërësisht në kundërshtim me mendimin e kësaj gjykate. GJND-ja e përforcoi fuqishëm atë që ne e kemi thënë në vazhdimësi; shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim as me të drejtën ndërkombëtare, as me Rezolutën 1244, por ajo është shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës, e cila ka qenë njësi e barabartë konstituive e ish-federatës jugosllave, e cila është shpërbërë pikërisht për shkak të luftërave të përgjakshme që shkaktoi politika serbe”, vijoi Presidenti Sejdiu.

Në këtë kontekst, Presidenti Sejdiu ripohoi se Serbia po bën politikë destruktive ndaj Kosovës, duke bërë përpjekje të gjithanshme për t’i penguar njohjet e reja dhe prosperitetin e përgjithshëm të Kosovës.  

Në adresimin e tij, edhe Ministri Hyseni ka ritheksuar vendimin e qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në pyetjen që është shtruar nga vetë Republika e Serbisë dhe gjetjen nga ana e saj në të gjitha pikat në favor të Kosovës. Ministri po ashtu ka theksuar se, vetë Gjykata ka vënë në spikamë rrethanat faktike dhe ligjore që janë të veçanta për Kosovën, siç është: shpërbërja e dhunshme dhe jokonsensuale e ish- Jugosllavisë; miratimi i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur me qëllim që të zgjidhë krizën humanitare në Kosovë; periudha e administrimit të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara; dhe shterimi, pas shumë vitesh, i të gjitha rrugëve për një zgjidhje të negociuar. Në këtë mënyrë, ka thënë Ministri Hyseni, rasti i Kosovës nuk mund të shërbejë si precedent për raste të tjera.

Edhe Ministri Hyseni i është bashkëngjitur thirrjes së Presidentit drejtuar ambasadorëve të shteteve të Ligës Arabe që të kundërshtojnë projektrezolutën e propozuar nga Republika e Serbisë, duke pohuar se ky veprim jo vetëm se do të ishte në pajtim të plotë me Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por do të ndihmonte në fakt edhe vetë Republikën e Serbisë. Projektrezoluta, - ka vazhduar Ministri - qartazi bie ndesh me Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe si e tillë paraqet mosrespekt dhe kritikë të papranueshme për Gjykatën, dhe se nuk u kontribuon aspak proceseve të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe të ardhmes së tyre evropiane. Në fund, Ministri ka shprehur bindjen se shtetet e Ligës Araba do të jetë edhe këtë herë në anën e Kosovës, ashtu siç ato kane qenë në kohërat kur ajo ka pasur më së shumti nevojë.

Në fund të takimit, mbështetjen e tyre për Kosovën e pohuan ambasadorët e Bahrainit, Jordanit, Arabisë Saudite dhe të vendeve të tjera të Ligës.