Republika e Kosovës faktor i madh i paqes dhe i stabilitetit në rajon

06.10.2009. - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, dr.Sali Berisha. Në një takim të gjatë dhe vëllazëror, ata biseduan për marrëdhëniet mes dy vendeve, për marrëveshjet e nënshkruara për bashkëpunim në shumë fusha, për përkrahjen që Republika e Shqipërisë po jep në procesin e rëndësishëm të lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për një varg temash të tjera.

Në përfundim të takimit, Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Berisha mbajtën një konferencë të përbashkët për media, transkriptin e së cilës po e japim në vijim.

Presidenti Sejdiu: Më lejoni që të prezantoj para jush dhe të shpreh kënaqësinë time të veçantë se sot Kosova ka në zemrën e vet njeriun i cili më tërë përkushtimin e vet jetësor i  është dhënë mbështetjes së lirisë dhe pavarësisë së saj.


Duke shprehur këtë respekt dhe falënderimin për punët e mëdha që ka bërë Kryeministri Berisha dhe shteti shqiptar nën udhëheqjen e tij, jemi paralelisht pjesë e proceseve të mëdha historike. Sot jemi në një kohë të re, në një kohë të dëshmimit të fuqishëm të vlerave të Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur dhe të marrjes paralele të gjithë asaj që ne mund të quajmë vlera të përbashkëta të identitetit por të njëjtën kohë edhe të demokracisë dhe të lëvizjeve të shpejta të një përvoje të jashtëzakonshme që  Republika e Shqipërisë ka kapërcyer në procesin drejt rrugës së integrimeve. Natyrisht se është privilegj i veçantë për udhëheqësit e institucioneve të vendit që pikërisht në këtë kohë të zhvillimeve kaq të bujshme kryeministri Berisha dhe shteti shqiptar e siguron Kosovën për një mbështetje të fuqishme edhe për procese të reja dhe të rëndësishme që do t’i kapërcejë.


Për ne ka qenë i jashtëzakonshëm dhe historik momenti i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO dhe po kështu janë një fanar i rëndësishëm udhërrëfyes edhe veprimet e shpejta racionale të ecjes së Republikës së Shqipërisë në proceset integruese dhe këtë të dëshmuara në procese të rëndësishme që kapërceu vendi. Para pak kohësh ju e dini se ka qenë një proces i rëndësishëm elektoral, një mbështetje dhe vlerësim pozitiv i bashkësisë ndërkombëtare dhe gjithë atyre që kanë përcjellë me vëmendje dhe kureshtje të veçantë këto zhvillime që janë në harmoni të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë, them paralelisht, ne si Kosovë jemi në përgatitje të procesit të zgjedhjeve të nëntorit që do të jenë zgjedhje në nivel lokal, por do të jenë zgjedhje për herë të parë të menaxhuara nga institucionet e vendit. 


Prandaj, sot dëshiroj të përgëzoj po kështu nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, që është një moment po ashtu i ndërtimit në vazhdimësi me kualitet të edhe Republikës së Kosovës në funksionimin e saj në dimensionet e shumta shtetërore pra edhe në këtë aspekt të marrëveshjeve bilaterale dhe unë do të shfrytëzoj mundësinë që në kohën më të shpejtë të bëjë ratifikimin e tyre. Prandaj, edhe njëherë z.Kryeministër, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet tona dhe konsideratat më të larta për punën dhe mbështetjen në vazhdimësi që i jepni Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kryeministri Sali Berisha: I nderuar zoti President! Shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj me shumë mirënjohje për pritjen vëllazërore, por mbi të gjitha të shpreh admirimin tim dhe vlerësimin më të madh për kontributin tuaj në drejtimin e shtetit të Kosovës, si simbol i vlerave dhe unitetit të popullit të Kosovës. 


Ju,  zoti President, erdhët në krye të shtetit të Kosovës në rrethana shumë të vështira, pas ndarjes nga jeta të burrit të madh të kombit shqiptar, arkitektit të Kosovës së pavarur, Presidentit Ibrahim Rugova. Ju me dinjitet të madh, me përkushtim dhe mençuri arritët të jepni një kontribut thelbësor në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në konsolidimin e pavarësisë dhe sistemit demokratik të bazuar në vlerat e tregut. 


Kosova ka një periudhë të shkurtët si shtet i pavarur, por sukseset dhe arritjet i ka shumë më të mëdha. Në Kosovë po ndërtohen institucione dhe po vendosen standarde demokratike, në disa aspekte, unike në rajon dhe me gjerë. Është frymëzues qëndrimi dhe standardi që po konsolidohet këtu për pakicat dhe të drejtat e tyre, dëshmi e vullnetit dhe përkushtimit të autoriteteve dhe qytetarëve të Kosovës, për një Kosovë multietnike të qytetarëve të barabartë para ligjit, ku shqiptarë, serbë, malazez, boshnjak, turq dhe romë të jetojnë në paqe dhe harmoni. 


Në Kosovë po vendosen standardet më të gjera të decentralizimit, këtij parimi themelor të sistemim demokratik. Krijimi i komunave të reja përbën një ngjarje shumë pozitive për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në Kosovë. Kosova shkon drejt zgjedhjeve të tetorit pasi ka krijuar një traditë shumë të mirë zgjedhjesh të lira dhe të ndershme. Unë jam i bindur se edhe këtë provë, se këto janë zgjedhjet  e para që pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës do ta kalojë me sukses të plotë. Republika e Kosovës në një hark të shkurt kohor është shndërruar në një faktor të madh paqeje dhe stabiliteti në rajon. Për të gjithë ata që njohin rajonin dhe hedhin sytë drejt së shkuarës së tij, këto 20 muaj janë muajt e parë të stabiliteti të vërtetë në Ballkanin Jugor dhe kjo falë pavarësisë së Kosovës.


Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë vëllazërore.

Marrëveshjet që nënshkruam sot dhe të tjerat që po përgatiten do të krijojnë infrastrukturën ligjore për marrëdhëniet më të shkëlqyera dhe më shembullore në rajon. Jam i bindur se ky është një kontribut i përbashkët që ne japim për mirëkuptimin, integrimet dhe bashkëpunimin rajonal e më gjerë. 


Në Kosovë japin një kontribut të madh KFOR-i dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut, EULEX, Bashkimin Evropian dhe Komisioni Evropian, si dhe institucione të tjera ndërkombëtare. Ky kontribut vlerësohet shumë nga Shqipëria, por vlerësohet shumë edhe nga vende të tjera. EULEX-i dhe prania e tij janë një shans i madh për perspektivën evropiane të Kosovës dhe përshpejtimin e kësaj perspektive. KFOR-i dhe prania janë një faktor shumë i rëndësishëm jo vetëm për paqen dhe stabilitetin, por edhe për përgatitjen dhe mbështetjen e Kosovës në procesin e anëtarësimit në NATO. 


Shqipëria do t’i japë Kosovës çdo ndihmë që ajo mundet t’i japë. Shqipëria është e vendosur t’i ripërtërij me shpejtësinë më të madhe të mundshme të gjitha lidhjet infrastrukturore. Brenda katër viteve që vijnë do të përfundojë autostrada Qafë Morinë - Shkodër, e cila do t’i japë Kosovës perëndimore dalje të shpejtë në det. Qeveria ime do të nisë vitin e ardhshëm studimin e fizibilitetit dhe projektimin e hekurudhës Shqipëri – Kosovë. Lidhje të tjera të shumëllojta infrastrukturore janë në ndërtim dhe do të ndërtohen. 


Diplomacia shqiptare ka bërë dhe do të bëjë përpjekjet më të mëdha për të lobuar për njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës. Dua të theksoj se këto zhvillime të mëdha dhe pozitive e lehtësojnë jashtë mase detyrën tonë. Kosova nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më e qetë, më e drejtë dhe më e barabartë. Tensionet ndëretnike kanë një rënie të madhe dhe qytetarët e shpërngulur po kthehen. Qeveria shqiptare është vendosur që bashkë me qeverinë e Kosovës të jap një kontribut direkt , me ndërtim shtëpish apo objektesh të tjera, për qytetarët e shpërngulur. Ekonomia e Kosovës, megjithë disa bllokada që i përkasin të shkuarës, po reziston dhe ka një dinamizëm dhe  perspektive shumë të qartë. Lidhjet infrastrukturore e ndihmojnë Kosovën, ndihmojnë daljen e saj të shpejtë në det dhe lidhje më të ngushta me veten përreth. Sigurisht, që edhe Kosova edhe Shqipëria nuk e kanë bulevard të shtruar rrugën. Ato e kanë rrugën me vështirësi dhe me probleme, por, absolutisht, kanë të gjithë këtë energjinë dhe vullnetin për t’i zgjidhur dhe për të ecur më shpejtë se kurrë në tërë historinë tonë. 


Sot, ne jemi të lirë dhe, duke shfrytëzuar pasuritë e lirisë, jam i bindur se do të arrijmë të kapim nivele të larta të zhvillimit që presin qytetarët e tyre. 


Zoti Presidenti, edhe një herë ju falënderoj shumë për mikpritjen vëllazërore.
 
Pyetje: Zoti Kryeministër, qeveria ju drejtoni dhe qeveria e Kosovës kanë një moto të përbashkët; zero tolerancë ndaj korrupsionit. Sa është luftuar ky fenomen në Shqipëri?


Kryeministri Berisha: Pyetja është për një problem ndër më të rëndësishmit. Korrupsioni është ‘mater matrix’ i të gjitha të këqijave në një shoqëri të lirë. Ndaj, mendoj se qeveria shqiptare me një kompleks reformash, por në zbatim të ligjit, ia doli të bëjë një shkëputje të madhe nga situata në të cilën ndodhej vendi. Por, qeveria shqiptare është e vetëdijshme se në rast se ka fituar betejën,ende nuk ka fituar luftën dhe po përpiqet çdo ditë që të vendosi standardet më të mira në praktikat dhe procedurat për të ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirën ndaj këtij kanceri që gërryen më egër se çdo gjë tjetër mirëqenien dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.


Shqipëria është sot i vetmi vend ku tenderët zhvillohen 100 për qind me prokurim elektronik. Shqipëria është një vend me shkallën më të madhe të privatizimeve, duke zhdukur  në këtë mënyrë korrupsionin nga sektori publik. Por, Shqipëria ka sërish probleme me korrupsionin dhe është e vendosur të përdorë standardet më të mira në luftën kundër tij, si dhe me gërshërët e ligjit të presë dorën e zezë të korrupsionit kudo që ajo shtrihet. 


Pyetje: Zoti Kryeministër, ish ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka pas deklaruar Shqipëria ka angazhuar njerëz specialë, në vende të ndryshme, për të lobuar për pavarësinë e Kosovës. A vazhdojnë ende këta njerëz dhe në çfarë formash konkretisht duhet të lobojë Shqipëria? Dhe, pyetja e dytë, a ka gjasa që edhe Shqipëria të ketë trupa të saj në kuadër të KFOR-it? 


Kryeministri Berisha: Shqipëria ka angazhuar dhe angazhon misione të vazhdueshme për pavarësinë e Kosovës. Shqipëria këtë e ka një detyrim madhor ndaj një vendi i cili është vëlla. Shumë vende i quajnë marrëdhënie vëllazërore, por ne i kemi të vërteta vëllazërore. Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje. Ka dërguar dhe do të dërgojë emisarë në të gjitha kancelaritë për të qartësuar se njohja e Kosovës është një shans për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Asnjë vend nuk e ka njohur Kosovës për arsye tjetër përveç faktit se pavarësia është faktor madhor për paqe dhe stabilitet në rajon. Mund t’ju them se tematika e diplomacisë shqiptare përveç problemit të integrimit, e tëra do të jetë ekonomikë. Do ta transformojnë në diplomaci ekonomike, sepse kështu i shërbejmë më mire interesit tonë.


Pyetje: A e konsideroni pengesë mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në Kosovës?


Presidenti Sejdiu: Po unë mund të them se këto zgjedhje pavarësisht se e kanë karakterin e tyre lokal apo për komuna, janë zgjedhje që shtrihen në gjithë nivelin e vendit, janë zgjedhje që kanë ambicien por edhe është bërë puna që t’u japë shansin gjithë qytetarëve të vendit, të japin votën e tyre për njerëzit që duan ti prezantojnë. Natyrisht se ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme dhe punë të dimensioneve të ndryshme në kontakte dhe forma të tjera që t’u ofrohet drejtpërdrejt mundësia qytetarëve serbë që të participojnë, të zgjedhin, dhe të zgjedhin edhe në komunat e reja që do të formohen dhe janë formuar me një vendim të veçantë të institucioneve të vendit për të realizuar premtimin dhe zotimin tonë të Pakos së Ahtisarit. Për ne është tepër irracionale, qasja që Beogradi në vazhdimësi fatkeqësisht e bën si thirrje për të penguar këta njerëz që të dalin dhe të dhanë votën e tyre për njerëzit e tyre që janë njerëz të Kosovës. Është moment, i veçantë i kthesës kujtoj në kualitet se në studimet që ne kemi bërë, pra edhe me kontaktet, ekziston një gatishmëri e mirë e qytetarëve serbë edhe e atyre që kanë hezituar më tepër në fazat e mëhershme që t’i kthehen realitetit. Dhe dua t’i thërras edhe nga kjo foltore që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe njerëzore që të jenë në një proces të madh të Kosovës, të zgjedhin ata që mendojnë se duhet t’i zgjedhin. Janë të paraqitura rreth 14 parti politike serbe që të marrin pjesë në zgjedhje dhe kandidatë të pavarur dhe ne dëshirojmë që pikërisht me këtë paraqitje me punën që bëjmë në nivele të ndryshme, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare po kështu që këta njerëz të jenë në ditën e 15 nëntorit.


Mbase mund të jetë edhe një numër i atyre që ende mbesin peng i këtyre shtrëngimeve që vijnë nga jashtë, por mendoj se është koha e fundit që të kuptojnë se janë shtrëngime nga jashtë dhe se nuk janë vullnet i brendshëm njerëzve, nuk është vullnet i brendshëm edhe i qytetarëve serbë që duan të t’i prezantojnë apo duhet t’i prezantojnë. Kosova ka hyrë në një rrafsh të ri të zhvillimeve me mbështetjen ndërkombëtare të gjithë investimet që bëhen në Kosovë bëhen pikërisht për të pas karakterin e saj funksional edhe të prezencës multietnike. Dhe ne kemi garantuar edhe përtej standardeve ndërkombëtare, them se me Kosovën siç ka qenë trajtimit i saj sui generis, me idenë e Presidentit Ahtisari, sui generis është në standarde. Unë s’mund të gjej një vend nga studimet që kam bërë edhe në Evropë edhe jashtë që të ketë ofruar standardet më të larta të mundshme ekzistuese se sa Kosova që ka ofruar dhe i ka ofruar me vetëdije dhe si shans për të gjithë.

Kryeministri Berisha: E kuptoni vetë. Qëndrimet ndaj zgjedhjeve janë komplekse. Diktohen nga shumë faktorë, por interesi më i mirë i serbëve në Kosovë është të marrin pjesë në zgjedhje, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, të përfitojnë një shans në vendosjen e standardeve të shkëlqyera, të përfaqësimit dhe të drejtave të minoriteteve. Uroj dhe shpresoj që problemet e serbeve të Kosovës të mos bëhen probleme ndërpartiake, politike në Beograd. Ky nuk është interesi as i Serbisë. Rrjedha kërkon që ato të marrin pjesë. Jam i bindur që ky proces do të ecë drejt normalizimit.