Reagim ndaj raportit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për auditimin e kryer në ZPRK

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), më datë 15. 9. 2008, ka bërë publik raportin e auditimit “Pasqyrat Financiare të Zyrës së Presidentit të Kosovës për vitin e përfunduar më 31. Dhjetor. 2007”, për të cilin opinioni publik është njoftuar edhe sot nëpërmjet mediave të shkruara.

Me qëllim të njoftimit korrekt të publikut, ZPRK-ja ka vendosur të bëjë reagim në formë të shkruar, lidhur me të gjeturat dhe rekomandimet e ZAP-it, por edhe të keqinterpretimeve të këtyre të gjeturave në disa media të shkruara.

Komentet e ZPRK-së me dokumentet shtesë që e kundërshtojnë draft-raportin e auditorëve të ZAP-it, nuk janë marrë për bazë, përpaara se raporti të bëhej publik dhe në këtë mënyrë është thyer kodi i sjelljes profesionale nga ZAP-i.

Sa i përket disa të gjeturave specifike të përfolura në media, ZPRK-ja, bën reagim:

1) Nuk janë bërë shkelje lidhur me shpenzimet telefonike.

Sqarimi: Udhëzimi Administrativ Nr. 08/2006 nuk ka të bëjë me ZPRK-në, shih Preambulën e këtij udhezimi dhe Rregulloret e punës së Qeverisë nr 1/2005 dhe 1/2007, datë 24. 01. 2007, që dëshmon se ky Udhëzim i referohet ekskluzivisht Qeverisë.

Menaxhmenti i lartë i ZPRK-së është duke u përpjekur të bëjë reduktime të këtyre shpenzimeve, duke mos cenuar funksionimin e përgjegjësive të stafit politik dhe administrativ të ZPRK-së.

2) Nuk janë bërë  keqpërdorime në prokurime.

Sqarimi: Specifikat e punës në ZPRK, në shumë raste, kërkojnë procedura të përshpejtuara të prokurimeve, të cilat edhe në këto rrethana janë zhvilluar konform LPP 2003/17. 


Nuk ka shkelje që do të rezultojë në keqëpërdorim të mundshëm të parasë publike. 


Hapja e ofertave të tenderëve dhe vlerësimi, shpërblimi i kontratës në të njëjtën ditë, nuk paraqet shkelje të ligjit për prokurim publik. 


Lëshimet e konstatuara nga ZAP, nuk rezultojnë me gabime materiale.
Shkaku i lëshimeve teknike në disa prej procedurave  të prokurimit menaxhmenti i ZPRK-së nuk i ka vazhduar kontratën shefit të prokurimit në Njësinë e prokurimit.

ZPRK-ja është e përkushtuar të bëjë zbatimin e plotë të gjitha ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Ne, po ashtu, jemi të hapur për verifikim të këtyre të dhënave në çdo kohë nga cilido që ka interes.