Prokurorët e shtetit japin betimin para Presidentit Thaçi

Prishtinë, 01 dhjetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në pajtim me propozimin e Këshillit Prokurorial, me dekret ka emëruar sot 25 prokurorë të rinj të shtetit, nëpër prokuroritë Themelore të Kosovës, me mandat fillestar tre vjeçar.

Presidenti Thaçi, pas ceremonisë së betimit, ka uruar të gjithë prokurorët e rinj, duke iu ofruar mbështetje në punën e tyre të përditshme.

Në të njëjtën kohë, ai ka kërkuar një vendosmëri dhe një luftë të pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe të jenë aktivë në luftën kundër terrorizmit.

“Konsolidimi i sundimit të ligjit është një nga prioritetet kryesore të shtetit tonë. Kjo luftë do të forcojë shtetin përbrenda, do të rrisë sigurinë, do të rikthej besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Suksesi juaj do të forcojë perspektivën evropiane të Kosovës. Ju do ta keni mbështetjen time të plotë”, ka thënë Presidenti.

Thaçi ka kërkuar nga prokurorët që të jenë të pa kompromis, të vendosur, të paanshëm në punën e tyre, duke kontribuuar në avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Ai ka theksuar se reformat në drejtësi mbetet prioritet i institucioneve të Kosovës, duke informuar ata për dinamikën e ndryshimeve që po bëhen në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

Nga ana tjetër, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka falënderuar presidentin Thaçi për emërimin e shpejtë të prokurorëve të rinj dhe për mbështetjen që po i japë sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga prokurorët e rinj angazhim maksimal, sidomos në fazën e ardhshme trevjeçare, e cila do të jetë periudhë provuese për ta.

Në tekstin e betimit thuhet “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës si Prokuror i Republikës së Kosovës, do t'i qëndroj besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe do të ushtroj funksionin e prokurorit me nderë, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke i respektuar rregullat e etikës profesionale”.