Pritje e përzemërt nga Emiri i Katarit

Nju-Jork, 22 shtator 2010. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi patën sot një takim me Emirin e Katarit, Sheik Abdullah bin Khalifa Al Thani.

Në një takim të përzemërt, udhëheqësit shtetërorë të Republikës së Kosovës e njoftuan Emirin Al Thani me zhvillimet në vendin tonë, me theks të veçantë me realitetin e ri të krijuar pas mendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Mendimi i kësaj gjykate dhe rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së heqin edhe dilemat e fundit që ndonjë shtet mund të ketë pasur rreth njohjes së Republikës së Kosovës, tha Presidenti Sejdiu, duke kërkuar që edhe Katari të ndërmarrë hapin e njohjes së Kosovës, duke iu bashkuar kështu shteteve që tashmë e kanë njohur atë dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike e kanë shtrirë bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi e falënderuar emirin Al Thani për qasjen ndaj Republikës së Kosovës, si dhe për mbështetjen e vendit tonë tek vendet e Gjirit, si dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve tona.

Nga ana e tij, Emiri i Katarit, Sheik Abdullah bin Khalifa Al Thani tha se vendi i tij ka përcjellë me shumë interes zhvillimet në Kosovë dhe se do ta kumtojë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës në kohë shumë të shkurtër.