Presidentit Thaçi takoi kryeparlamentarin Veseli dhe kryeministrin Mustafa, koordinohen për jetësimin e obligimeve ndërkombëtare

Prishtinë, 7 shkurt 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim të përbashkët me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Në këtë takim është biseduar për vazhdimin e koordinimit të përbashkët për jetësimin e obligimeve ndërkombëtare që Kosova është zotuar t’i realizojë.

Në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, ata janë pajtuar që të vazhdohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përmbyllet demarkacioni me Malin e Zi dhe të punohet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Këta hapa, përveç që do të mundësojnë përmbylljen e integrimit të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, do t’i hapin rrugë edhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe konsolidimit të mëtejshëm të shtetësisë dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.