Presidentit Sejdiu përshëndeti nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit në NATO nga Shqipëria dhe Kroacia

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, përshëndeti nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit në NATO nga Shqipëria dhe Kroacia, duke e cilësuar këtë akt si një hap shumë domethënës në përpjekjet e vendeve të Evropës Juglindore për integrim të plotë në strukturat euroatlantike.

“Ne shpresojmë se procesi i ratifikimit në të gjitha vendet e NATO-s do të shkojë sipas planit, ndërsa Shqipëria dhe Kroacia do të zënë vendin e tyre si anëtare me të drejta të plota në samitin e ardhshëm jubilar të 60-vjetorit të Aleancës Veriatlantike”, tha Presidenti Sejdiu.

Pasi ritheksoi përcaktimin e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për politikë të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, Presidenti Sejdiu shfaqi bindjen se Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kroacisë do ta vazhdojnë angazhimin e tyre të gjithanshëm për paqe dhe stabilitet, me qëllim që vitet e gjata të vuajtjeve që kanë përjetuar popujt e kësaj pjese të Evropës të mbesin vetëm në kujtesë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë besim të thellë në përkushtimin e NATO-s për integrimin e të gjitha vendeve të rajonit në gjirin e kësaj aleance. Me zotimin se do të punojmë me tërë kapacitetet që kemi për përmbushjen e obligimeve tona dhe arritjen e kritereve të parapara, ne ripohojmë vullnetin tonë që edhe Forca e ardhshme e Sigurisë e Kosovës të jetë shpejt anëtare e NATO-s”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu.