Presidenti Topi uron Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu me rastin e përvjetorit të parë të Ditës së Pavarësisë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh Kreut të shtetit kosovar, Fatmir Sejdiu, në të cilin shprehen urimet më të përzemërta me rastin e përvjetorit të parë të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“I nderuar zoti President,

Kam kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju uroj përzemërsisht Juve, dhe nëpërmjet Jush, gjithë popullit të Kosovës, përvjetorin e parë të Ditës së Pavarësisë!

Republika e Kosovës, përgjatë një viti, dëshmoi bindshëm angazhimin serioz politik dhe vizionin euroatlantik për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe sovran, të lirë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e saj. Ditëlindja e parë e shtetit të Kosovës përforcon besimin dhe mbështetjen e miqve që përkrahën, me të drejtë, aspiratën historike të popullit të Kosovës, për të jetuar në një shtet të lirë, demokratik e të mëvetësuar.

Më lejoni t’Ju siguroj, Zoti President, për angazhimin tim e të popullit tim, në mbështetje maksimale si në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu edhe në rrugën tonë të përbashkët drejt së ardhmes evropiane dhe euroatlantike.

Duke Ju uruar edhe një herë këtë përvjetor të gëzueshëm, Ju lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”! – theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.