Presidenti Topi uron Presidentin e Kosovës, Sejdiu për nëshkrimin e marrëveshjes së përcaktimit të kufijve me Maqedoninë.

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me anë të të cilit përshëndet nënshkrimin e marrëveshjes së përcaktimit të vijës kufitare me Republikën e Maqedonisë.

“I nderuar zoti President,

Më lejoni që të përshëndes nënshkrimin e marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë!

Shpreh bindjen se këto akte të rëndësishme politiko-juridike ndihmojnë pozitivisht frymën e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe të konsolidimit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në ndihmë të proceseve gjithëpërfshirëse integruese, për të cilat vendet tona janë angazhuar.

Duke ju uruar edhe një herë për suksese në hapat për fuqizimin dhe njohjet e mëtejshme të Republikës së Kosovës, ju lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratë sime më të lartë!” – thuhet në mesazhin urues të Presidentit Topi.