Presidenti Thaçi vizitoi një familje malazeze, flet për bashkëjetesën qytetare

Gorazhdec, 18 maj 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot në Gorazhdec të Pejës familjen Beshoviq nga radhët e komunitetit malazez.

I shoqëruar nga ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Radovan Milaniq, presidenti Thaçi në familjen Beshoviq, tha se po e ndërtojmë një Kosovë evropiane dhe multietnike, me standarde bashkëkohore të bashkëjetesës.

“Mali i Zi për pak ditë do të shënojë 10-vjetorin e të qenit shtet i pavarur dhe sovran, një vend që është në prag të anëtarësimit në NATO, organizata veri-atlantike në të cilën Kosova e ka qëllim dhe vizion që t’i bashkohet. Ne në Kosovë po e ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën evropiane, Kosovën multietnike, të kritereve dhe standardeve bashkëkohore të bashkëjetesës”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë vizitës në familjen malazeze.
 
Ai ka thënë se Kosovën po e ndërtojmë si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj, të shqiptarëve, malazezëve, serbëve, kroatëve dhe të gjitha komuniteteve të tjera. “Erdha për vizitë në familjen Beshoviq për të shikuar nga afër për hallet, problemet, shqetësimet, nevojat e tyre në Gorazhdec, një fshat multietnik ku jetojnë malazezë, serbë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
I pari i vendit theksoi se edhe në Gorazhdec, por edhe përreth, në gjithë hapësirën kosovare, qytetarët kanë jetuar pa dallim etnie në një bashkëjetesë të mirë, me mirëkuptim për njëri-tjetrin, duke punuar dhe bashkëjetuar në problemet dhe shqetësimet e përbashkëta të cilat i kanë zgjidhur bashkërisht.
 
“Kam besim të plotë se ne do të investojmë të gjithë se bashku që të ndërtojmë Kosovën e re, të ndërtojmë një perspektivë të sigurt me më shumë mirëqenie për qytetarët”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Ai premtoi edhe ndihmë për sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për familjen Beshoviq dhe theksoi se si President i Republikës së Kosovës është zotuar që t’u shërbejë të gjitha komuniteteve, të gjithë qytetarëve të vendit, për të ndërtuar demokracinë qytetare.

“Ka një konsensus të plotë të spektrit politik që, me fillimin e ndryshimeve kushtetuese në Kosovë, edhe bashkësitë kroate dhe malazeze të përfshihen si kategori kushtetuese ne republikën tonë, përmes procesit të diskriminimit pozitiv, në mënyrë që sikur edhe komunitetet e tjera të jenë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës dhe në institucione lokale”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do t’i vizitojë edhe komunitetet e tjera dhe në fund u ka bërë edhe ftesë të gjithë atyre që janë larguar prej shtëpive të tyre, serbë, malazezë etj., të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, sepse Kosova është e të gjithëve, pa dallim etnie dhe se të gjithë duhet të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët.