Presidenti Thaçi: Vizioni i partive politike duhet të jetë gjithëpërfshirja

Prishtinë, 14 dhjetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marr sot pjesë në ceremoninë e organizuar Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), e cila ka organizuar një pritje me temën “Liderët e së nesërmes”.

Duke folur për kontributin e NDI-s në Kosovë, presidenti Thaçi ka theksuar se partitë politike janë themeli i pluralizmit dhe i demokracisë, prandaj është për t’u vlerësuar lartë puna që bëhet në fuqizimin e partive politike.

Sipas tij, skena politike kosovare është pasuruar vazhdimisht, ku partitë politike janë shndërruar në forume në të cilat artikulohen politikat për të ardhmen e Kosovës.

“Është e rëndësishme që ta ushqejmë vazhdimisht këtë proces të debatit për politikat që zbatojmë  në shtetin dhe në shoqërinë tonë. Trajnimet e NDI kanë kryer mu këtë detyrë, të ushqejnë dhe të intensifikojnë këtë debat”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se evenimenti i sotëm ka një segment edhe më të rëndësishëm që është përfshirja dhe fuqizimi i rolit të gruas dhe të rinjve në partitë politike.

“Partitë politike në aktivitetet e tyre duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Politikat e partive politike duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Vizioni i partive politike duhet të jetë gjithëpërfshirës. Kam dëgjuar fjalë të mira për programin e NDI që keni ndjekur”, ka thënë ai.

Presidenti ka theksuar se ardhmja e Kosovës do të jetë e sigurt nëse liderët e të ardhmes do të promovojnë vlerat e gjithëpërfshirës, të dialogut e të bashkëpunimit.